Botë

Orbani prapë bën thirrje t’i hiqen sanksionet Rusisë

Kryeministri hungarez Viktor Orban ka thënë se sanksionet kundër Rusisë të vendosura nga Bashkimi Evropian duhet të hiqen, shkruan gazeta pro-qeveritare Magyar Nemzet.

Orban, zakonisht një kritik i ashpër i sanksioneve të BE-së kundër Moskës, paraqiti qëndrimin e tij në një takim të mbyllur me anëtarët e partisë së tij të enjten.

Gazeta hungareze citoi deklaratën e Orbanit në të cilën ai theksoi se sanksionet e BE-së rritën çmimet e gazit dhe inflacionin, dhe nëse këto masa do të hiqen, çmimet e gazit do të bien menjëherë me 50 për qind, dhe inflacioni gjithashtu do të kontrollohej.

“Pa sanksione, Evropa mund të rifitojë fuqinë e saj dhe mund të shmangë recesionin kërcënues”, ka thënë Orban, duke përsëritur qëndrimin e tij të mëparshëm se sanksionet dëmtojnë Evropën më shumë se Rusinë.

Në faqen e tij në Facebook, Orbani deklaroi nga takimi i partisë: “Sanksionet e Brukselit e kanë shtyrë Evropën në një krizë energjetike”.