Botë

Mijëra njerëz protestojnë në Bruksel për rritjen e kostos së jetesës

Descriptive Text

Mijëra njerëz kanë dalë për të protestuar në rrugët e Brukselit të mërkurën për shkak të rritjes së kostos së jetesës, shkruan Euronews.

Rritja e çmimeve të ushqimeve, faturat e fryra të energjisë dhe zhgënjimi me politikanët e punëdhënësit, bënë që mbi 10 mijë njerëz të dalin në protestë.

Të veshur me të gjelbër, blu dhe të kuqe, ngjyrat e tri sindikatave kryesore, protestuesit thanë se duan që politikanët lokalë, kombëtarë dhe evropianë të reagojnë tani dhe të marrin masa të menjëhershme për t'i ndihmuar ata me barrën financiare të krizës.

Ata thonë se përgjegjësia është e politikanëve për të trajtuar çështjet tani dhe për të mos fajësuar gjeopolitikën.

"Unë kam punuar për 23 vjet dhe tani është hera e parë që kam vështirësi reale për të mbijetuar”, ka thënë Ludoviq nga Brukseli për Euronews.

Një tjetër punëtor i çelikut nga Charleroi, tha se beson se qeveria do t’i rregullojë problemet dhe do të gjejë zgjidhje.

Disa nga protestuesit kanë mbajtur parulla që bënin thirrje që një ligj i vitit 1996 mbi "mirëqenien e punëtorëve" të modifikohej në mënyrë që sindikatat të mund të negociojnë rritjen e pagave.

Sipas tyre, zgjidhja nuk është “dërgimi i faturës te Putini, por të gjejnë autonomi në politikën energjetike”.

Një grevë e përgjithshme në Belgjikë është planifikuar të mbahet më 8 nëntor.