Botë

Rusët po paguajnë mbi 5.500 dollarë biletë për të ikur në Serbi

Descriptive Text

Në ditën kur presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi mobilizim të pjesshëm të rezervistëve për luftë në Ukrainë, rusët po shohin mundësitë se si të ikin nga vendi.

Dëshmi për këtë vijnë nga vendi fqinj, Serbia, që nuk i ka vënë sanksione Rusisë dhe rusët mund të fluturojnë direkt për në Beograd.

Gazeta podgoricase “Vijesti” shkruan të mërkurën, se bileta për një drejtim, nga Moska në Beograd për datën 22 shtator kushton 3.323 dollarë apo kushtoi, meqë të gjitha biletat deri në 29 shtator janë të shitura.

Për datën 23 shtator biletat Moskë – Beograd janë shitur me çmime nga 1.600 dollarë deri në 5.600 dollarë.

Fluturimet nga Moska për në Stamboll dhe nga Moska për në Yeravan të Armenisë, ku rusët mund të shkojnë pa viza, po ashtu janë rezervuar për ditët në vazhdim.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka refuzuar të komentojë të mërkurën këtë situatë dhe nëse Rusia do të mbyllë kufijtë për personat që janë të moshës për luftë. Sipas tij, Rusia shpejt do të zbulojë kategoritë që do të bëjnë përjashtim nga mobilizimi.

Putini urdhëroi mobilizimin pasi fushata për pushtim të Ukrainës, e nisur më 24 shkurt, nuk i shkoi sipas planit.

Kohëve të fundit, ushtria ukrainase ka njoftuar për përparime të mëdha në çlirimin e tokave të pushtuara nga rusët.