Botë

Serbia e mbytur në borxhe

Descriptive Text

Brenda pak ditësh, publiku në Serbi mësoi se ishte marrë një hua nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) prej një miliard eurosh, pastaj 690 milionë euro hua në tregun e obligacioneve dhe se një marrëveshje e re me FMN-në është duke u negociuar.

Vlera totale e kredive nuk do të jetë më pak se dy miliardë euro dhe askush nuk mund ta dijë me siguri se për çfarë do të shpenzohen.

Qeveria serbe mburrej se mori kredi tepër të favorshme nga EBA në vlerë prej një miliard eurosh, me normë interesi prej tre për qind.

Presidenti Aleksandar Vuçiq falënderoi Emiratet e Bashkuara Arabe dhe theksoi se kredi të tilla marrin edhe vendet e tjera, të cilat do të përdoren për shlyerjen e kredive të vjetra. Publiku nuk e mori vesh saktësisht se për cilat kredi e kishte fjalën, transmeton “Nova.rs”.

Shpejt, opinioni në Serbi dëgjoi informacionin se Beogradi është duke negociuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) për një kredi të re, ndonëse Qeveria serbe disa herë ka refuzuar të bëjë marrëveshje shtesë me këtë institucion. Siç u shpjegua më parë nga ekspertët, FMN-ja kërkon të dhëna dhe informacione të sakta se për çfarë do të shpenzohen fondet. Institucioni i njohur financiar ka procedura rigoroze kontrolli, për këtë arsye qeveria serbe ka refuzuar më parë të marrë kredi.

Përveç kësaj, FMN-ja nënkupton edhe zbatimin e caktuar të reformave dhe shkurtimeve fiskale që nuk janë kurrë në favor të autoriteteve.

Nënkryetari i Partisë Liri dhe Drejtësi (SSP), Dushan Nikeziq, me profesion ekonomist, vuri në dukje se borxhet nuk kanë mbaruar dhe shpjegoi se Serbia do të marrë hua 690 milionë euro të tjera në tregun e bonove, të cilat u shitën përmes një marrëveshjeje të drejtpërdrejtë me një investitor të panjohur.

“Serbia ka marrë 1.69 miliardë euro hua në më pak se një muaj për të mbuluar deficitin buxhetor, gjë që do të rrisë borxhin publik në mbi 33 miliardë euro dhe kjo është arsyeja pse kredia e re nga Emiratet e Bashkuara Arabe nuk është arsye për të festuar, siç u përpoq qeveria ta paraqesë”, thotë Nikeziq.

Ai vë në dukje se borxhi i përgjithshëm i rrit detyrimet e Serbisë ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe në 2.5 miliardë euro.

"Kjo e përkeqëson më tej pozicionin tonë në lidhje me kreditorin të cilit i kemi dhënë tashmë kompaninë ajrore kombëtare, pastaj 2 miliardë euro tokë për projektin ‘Beogradi në ujë’ dhe 500 milionë euro tokë në Vojvodinë", shtoi Nikeziq.

Ai përsërit se qeveria ka marrë më shumë hua se të gjitha të mëparshmet dhe se tani të gjitha kreditë janë me afat.

Vuçiq vazhdimisht është mburrur me arritjet e tij dhe me zhvillimin ekonomik, por sipas ekspertëve ndryshe del të jetë gjendja. \klix