Botë

Rusia shpenzoi 300 milionë dollarë për ndikim te politikanët nëpër botë

Descriptive Text

Burimet e afërta me administratën amerikane në lidhje me zbulimin e Inteligjencës kanë thënë se Rusia ka shpenzuar 500 mijë dollarë për të përkrahur Partinë Demokratike të Shqipërisë gjatë zgjedhjeve të vitit 2017 dhe ka financuar partitë ose kandidatët në Bosnjë, Mal të Zi dhe Madagaskar, ka bërë të ditur agjencia e lajmeve AFP

Rusia besohet se ka shpenzuar më shumë se 300 milionë dollarë që prej vitit 2014 për ndikim te politikanët e më shumë se 24 shteteve nëpër botë, kanë bërë të ditur Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Akuzat e Departamentit Amerikan të Shtetit janë të bazuara në vlerësimet e deklasifikuara të Inteligjencës, të cilat janë publikuar të martën.

Një zyrtar i lartë nga administrata e presidentit Joe Biden ka thënë se kjo mund të jetë vetëm maja e ajsbergut.

Rusia publikisht nuk ka komentuar në lidhje me këtë çështje. Vetë Moska vazhdimisht ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndërhyrje në shtetet e huaja.

Inteligjenca amerikane “ka vlerësuar se këto janë shifra minimale dhe se Rusia me shumë gjasë ka transferuar fonde shtesë në raste që nuk janë mbrojtur”, ka thënë zyrtari i administratës së Bidenit në një bisedë telefonike.

Ky zyrtar ka folur në kushte anonimiteti.

Vlerësimet e Inteligjencës amerikane të publikuara këtë javë nuk tregojnë për shtete specifike ose zyrtarë që besohet se kanë qenë cak nga Rusia – mirëpo ky ndikim është i përhapur në katër kontinente.

Zyrtari i administratës së presidentit demokrat ka thënë se komuniteti i Inteligjencës amerikane privatisht është duke njoftuar shtetet për dyshimet e financimit nga Rusia. Këto njoftime do të jenë sekrete, ka thënë zyrtari.

Burimet e afërta me administratën amerikane në lidhje me zbulimin e Inteligjencës kanë thënë se Rusia ka shpenzuar 500 mijë dollarë për të përkrahur Partinë Demokratike të Shqipërisë gjatë zgjedhjeve të vitit 2017 dhe ka financuar partitë ose kandidatët në Bosnjë, Mal të Zi dhe Madagaskar, ka bërë të ditur agjencia e lajmeve AFP.

Burimi gjithashtu ka thënë se Kremlini ka shfrytëzuar Brukselin si dritare për fondacionet dhe frontet e tjera që përkrahin kandidatët e ekstremit të djathtë.

Kompanitë fiktive besohet se janë përdorur për të financuar partitë evropiane dhe për të shtrirë ndikimin në shtetet e tjera të botës.

Deri të mërkurën, autoritetet ruse nuk kanë komentuar në lidhje me pohimet amerikane.

Moska gjatë muajve të kaluar ka fajësuar agjencinë amerikane të Inteligjencës, CIA-n, për ndërhyrje në marrëdhëniet e shteteve të tjera, përfshirë përkrahjen e disa grusht shteteve nëpër botë.

SHBA-ja është përshirë në zgjedhjet e huaja më shumë se 80 herë mes viteve 1946-2000, pa përfshirë grusht shtetet ose tentimet për ndryshim regjimi, thuhet në një databazë të mbajtur nga hulumtuesi Dov Levin.

Të martën, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, financimin rus e ka cilësuar si sulm ndaj sovranitetit.

Gjatë vitit 2021, zyrtarët e Inteligjencës amerikane kanë vlerësuar se presidenti rus Vladimir Putin me shumë gjasë ka autorizuar përpjekjet për ndikim në zgjedhjet amerikane të vitit 2020 në favor të ish-presidentit Donald Trump. Mirëpo në këtë raport thuhet se asnjë qeveri e huaj nuk kishte komprometuar rezultatet finale të zgjedhjeve. Rusia këto akuza për ndërhyrje në zgjedhje vazhdimisht i ka cilësuar si të pabaza.