Botë

OBSH: Afro 17 milionë persona në Evropë vuajnë nga Covidi i gjatë

Descriptive Text

Në mars të vitit 2020, kur koronavirusi i ri nisi të përhapej nëpër botë, shumë shtete morën masa kufizuese për t’i parandaluar kontaktet mes njerëzve dhe përhapjen.

Por, ndërsa filloi zbutja e masave në verën e vitit 2020, mjekët filluan të vërenin raste ku pacientët nuk ishin rikuperuar plotësisht nga COVID-19 dhe disa po vuanin nga simptoma afatgjate.

Mjekët i përshkruan këto simptome si “Covid i gjatë”.

Në mesin e këtyre simptomeve përfshihej lodhja, dhembjet e trupit, luhatje të disponimit, probleme me kujtesë dhe vështirësi me frymëmarrje.

Një hulumtim i institutit, IHME, që u aranzhua nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka treguar se deri 17 milionë persona në Evropë vuajnë nga Covidi i gjatë mes vitit 2020 dhe 2021.

Sipas hulumtimit thuhet se gratë kanë dyfishë më tepër gjasa se burrat për të vuajtur nga Covidi i gjatë.

Po ashtu rreziku për Covid të gjatë rritet dukshëm në mesin e rasteve kur simptomet janë të rënda dhe duhet hospitalizim.

Nga ata të hospitalizuarit, thuhet se një në tri gra dhe një në pesë burra, rrezikojnë të preken nga Covidi i gjatë.

Alexandra Marton-Krenek jeton dhe punon në kryeqendër të Austrisë, Vjenë.

Ajo nisi të vuante nga simptomet e Covidit të gjatë në gusht të vitit 2020.

“Gjërat filluan të bëheshin më keq. Më e frikshmja, askush nuk e dinte çfarë po ndodhte. Kisha qenë jashtë punës për nëntë muaj në fillim dhe nisa fazën e rikthimit e më pas u desh të merrja sërish pushim. E kuptova pas një vit e gjysmë të Covidit të gjatë se ka disa gjëra që nuk mund më të bëjë”, tha Marton-Krenek.

Molly Williams, një fizioterapeute britanike që punon në spital në veri të Anglisë, ishte diagnostikuar me Covid të gjatë në fillim të vitit 2020.

Ajo ka treguar se simptomet ishin plotësisht të papritshme.

“Vrapova 5 kilometra, dhe dy ditë më vonë u zgjova me temperaturë të madhe, kokëdhembje, lodhje ekstreme dhe arrita në fazë që nuk mund të dilja nga shtëpia. Humba gjithë besimin në trupin tim e humba veten”, thotë ajo.

Në punën e saj Williams takohet me pacientë që vuajnë nga Covidi i gjatë dhe po mundohet të ndihmojë.

Ajo beson se problemi është shumë më i madh sesa që punonjësit shëndetësoë kishin menduar fillimisht.

“Mendoj se kjo është maja e ajsbergut”, thotë ajo.

Doktoresha Catherine Smallwood, që është specialiste në OBSH, thotë se është me rëndësi që të bëhen hulumtime për Covidin e gjatë.

“Është me rëndësi që të bëjmë më tepër hulumtime, dhe të shohim si të trajtojmë dhe të ofrojmë ndihmë për pacientët. Shumë sëmundje janë mister, dhe na duhet kohë për ne të marrim informata, të kuptojmë se si sëmundja po prek trupin e njeriut”, ka thënë Smallwood.