Botë

A do t’ia kthejë shpinën Mbreti Charles traditës së Elizabethës

Para epokës së Elizabethës ishte traditë që monarkët britanikë të zgjidhnin një emër të ri sapo të uleshin në fron. Gjyshi i Charlesit, për shembull, njihej si Berti para se të bëhej Mbreti George i Gjashtë. Mendohej se Charlesi do të zgjidhte të bëhej Mbreti George i Shtatë për ta nderuar gjyshin. Mirëpo Charlesi refuzoi këtë ide dhe mbajti emrin e vet. Ky ishte mesazh i qartë se mbreti do të vazhdonte të ishte prijës i kauzave që i ka përkrahur si Princ i Uellsit.

Mbretëria e Bashkuar është në zi për mbretëreshën e dashur, por vendi ka nisur të mendojë se si Mbreti Charlesi i Tretë do të mbretërojë dhe se si monarkia e tij do të ndahet nga tradita e nënës.

Nëse dita e tij e parë në fron ofron ndonjë shenjë, Charlesi duket se është i gatshëm të nisë një rrugëtim pak më ndryshe.

Kur Charlesi udhëtoi drejt Pallatit të Buckinghamit për herë të parë si mbret i ri të premten, limuzina e tij kaloi përmes detit të madh të njerëzve. Pastaj u ndal para dyerve të pallatit dhe ua shtrëngonte duart njerëzve. Charlesi dukej më shumë si president amerikan gjatë fushatës zgjedhore sesa kujdestari më i ri i monarkisë 1000-vjeçare.

Nuk është se Mbretëresha Elizabetha e Dytë nuk takohej me britanikët. Takohej, shpesh bile. Ama kjo e Charlesit dukej ndryshe – më pak formale, më shumë e qetë dhe personale. Për më shumë se 10 minuta Charlesi shtrëngoi duart me njerëzit teksa buzëqeshte, pranonte ngushëllimet prej tyre dhe në disa raste edhe buqetat me lule. Audienca shpërtheu në kor duke kënduar: “Zoti e ruajt Mbretin”.

Pasi shikoi buqetat me lule dhe letrat e vendosura nga turma e njerëzve jashtë pallatit, ai bëri me dorë edhe një herë dhe hyri në oborr me Camillan, mbretëreshën e kurorës.

“Ishte mbresëlënëse, prekëse dhe lëvizje e mirë që të dilte para turmës”, ka thënë Ammar Al-Baldawi, që ishte në mesin e njerëzve që qëndronin para pallatit. “Mendoj se familja mbretërore duhet të komunikojë me njerëzit tani”.

Përpjekjet e Charlesit për t’u lidhur ngushtë me publikun pasqyrojnë faktin se atij i duhet përkrahja e njerëzve. Ka shumë punë të vështira përpara, më e rëndësishmja është se si mbreti 73-vjeçar do ta kryejë rolin si i pari i vendit.

Mbreti neutral

Ligjet dhe traditat që qeverisin monarkinë kushtetuese të Britanisë diktojnë që sovrani duhet të qëndrojë jashtë politikave partiake, por Charlesi ka kaluar pjesën më të madhe të jetës duke folur për çështje që ishin të rëndësishme për të, sidomos ambienti.

Fjalët e tij kanë shkaktuar përplasje mes liderëve politikë dhe të biznesit, të cilët e akuzuan atëherë Princin e Uellsit për ndërhyrje në çështjet për të cilat duhej të heshtte.

Pyetja është nëse Charlesi do të ndjekë shembullin e nënës së tij dhe të mbysë mendime te tij personale tani kur është mbret, ose ta përdorë rolin e ri për të arritur audiencë më të gjerë.

Në fjalimin e tij të parë si monark, Charlesi u përpoq të lehtësonte kritikët.

“Jeta ime sigurisht se do të ndryshojë tani kur t’i marrë përgjegjësitë e reja”, ka thënë ai. “Nuk do të jetë më e mundur që të kalojë kohën dhe energjinë time në bamirësi dhe çështje të tjera për të cilat kujdesem fort. Por tani e di se kjo punë do të vazhdojë në duart e besuara të të tjerëve”.

Ed Owens, historian dhe autor i librit “The Family Firm: Monarchy, Mass Media and British Public, 1932-53”, ka thënë se teksa Charlesi do të ecë me kujdes në shtegun e rij, nuk ka gjasa që krejt papritur të ndalet së foluri për ndryshimet klimatike dhe ambientin – çështje për të cilat ka nevojë më urgjente veprimi.

“Mosveprimi në këto çështje nuk do të ishte i vërtetë me imazhin që e ka krijuar ai deri në këto momente”, ka thënë Owens.

John Kerry, i dërguari special i SHBA-së për çështjet e klimës, shpreson që Charlesi do të vazhdojë të flasë për ndryshimet klimatike sepse është çështje universale që nuk përfshin ideologji. Kerry ishte në Skoci për t’u takuar me Princin e Uellsit gjatë kësaj jave, por takimi u anulua me lajmin për vdekjen e mbretëreshës.

“Kjo nuk do të thotë se ai ishte i përfshirë në rrëmujën e përditshme të politikës apo se ka folur për pjesë të veçanta të legjislacionit”, ka thënë Kerry për BBC-në. “Por nuk mund të imagjinoj që ai të mos ndihet i detyruar ta përdorë rolin e rëndësishëm të monarkut, me gjithë njohuritë që ka, për të reaguar dhe për të kërkuar nga bota për gjërat që duhet bërë”.

Image

Detyrat e mbretit

Juristët kushtetues kanë debatuar me vite nëse Charlesi i ka thyer kufijtë kushtetues të krijuar për ta mbajtur monarkinë larg grindjes politike.

Memoaret e ashtuquajtura “Black Spider Memos” – të titulluara në bazë të dorëshkrimit të tij në formë merimange – për ministrat e Qeverisë – janë cituar si dëshmi se ai nuk do të ishte neutral në marrëdhëniet e tij me Parlamentin.

Debati është kthyer në dramë.

Në shfaqjen e vitit 2014 “King Charles III”, dramaturgu Mike Bartlett imagjinon mbretin e ri, të pasigurt për fuqitë e tij dhe i prekur nga ndërgjegjja, shkakton krizë kushtetuese, duke refuzuar ta nënshkruajë ligjin e ri që e kufizon lirinë e shtypit.

Është ilustrim i tensioneve të qenësishme në sistemin që evoluoi nga monarkia absolute në atë të një sovrani që luan rol kryesisht ceremonial. Teksa Kushtetuta e pashkruar britanike kërkon që legjislacioni të marrë miratimin mbretëror para se të kthehet në ligj, kjo konsiderohet si formalitet që monarku nuk mund ta refuzojë.

Në intervistën për dokumentarin e vitit 2018 që u transmetua në ditëlindjen e tij të 70, Charlesi kishte thënë se do të sillet ndryshe kur të bëhet mbret sepse monarku ka rol krejt tjetër nga ai i Princit të Uellsit.

Megjithatë, ai vuri në dyshim kritikat që ka marrë gjatë viteve.

“Kam qenë gjithmonë i intriguar nëse ndërhyrja për qytetet, siç veproja para 40 vjetësh dhe çfarë po ndodhte apo nuk po ndodhte në qytete, kushtet në të cilat jetonin njerëzit”, kishte thënë ai. “Nëse kjo është ndërhyrje, atëherë jam shumë krenar për këtë”.

Premtimi i Charlesit

Tjetra çështje me të cilën përballet mbreti i ri është nëse Charlesi do të bëjë tkurrjen e anëtarëve mbretërorë që punojnë dhe të ulë shpenzimet ashtu siç ka thënë, me qëllim që monarkia ta përfaqësojë më mirë Britaninë moderne.

Robert Lacey, historian mbretëror dhe këshilltar për serinë e Netflixit, “The Crown”, ka thënë se kjo iniciativë nënvizon rolin e rëndësishëm të Princit William, i cili tani do të jetë trashëgimtar i fronit.

Williami tashmë prioritet ka ambientin dhe ka shumë mundësi që të ketë rol më të madh në këtë çështje tani kur babai është mbret, ka thënë Lacey për BBC-në.

Por ka edhe një të dhënë për planet e mbretit për mbretërimin e tij dhe është zgjedhja e tij për emër.

Para epokës së Elizabethës ishte traditë që monarkët britanikë të zgjidhnin një emër të ri sapo të uleshin në fron. Gjyshi i Charlesit, për shembull, njihej si Berti para se të bëhej Mbreti George i Gjashtë. Mendohej se Charlesi do të zgjidhte të bëhej Mbreti George i Shtatë për ta nderuar gjyshin.

Mirëpo Charlesi refuzoi këtë ide dhe mbajti emrin e vet. Ky ishte mesazh i qartë se mbreti do ta vazhdonte të ishte prijës i kauzave që i ka përkrahur si Princ i Uellsit, ka thënë Lacey.

Ishte babai i tij, Princi Philip, i cili gjeti mënyrat në të cilat monarkia neutrale do të mbështeste zhvillimin e rinisë dhe ambientin – “kauzë njëmend e rëndësishme që mund ta çonin përpara pa u akuzuar për mbështetje partish”, ka thënë ai.