Botë

20 persona vdiqën në një aksident në Nigeri, iu dogjën trupat brenda automjeteve

Descriptive Text

Të paktën 20 pasagjerë u dogjën për vdekje kur një autobus u përplas me një automjet tjetër dhe mori flakë në Nigerinë jugperëndimore, ka thënë policia, raportoi të shtunën The Guardian.

“Ishte një aksident fatal. Ne numëruam më shumë se 20 trupa njerëzish të djegur plotësisht”, tha Gbenga Obalowo, kryetar i distriktit Ibarapa.

“Ata patën një përplasje kokë më kokë dhe dy automjetet … që të dyja po transportonin pasagjerë, morën flakë dhe u dogjën pa mundësi riparimi”, tha ai.

Ai tha se dy persona “me djegie të rënda” i mbijetuan përplasjes dhe ata ishin dërguar në spital.

Një oficer i lartë i policisë konfirmoi aksidentin duke thënë se “20 persona humbën jetën në aksident”, pa dhënë detaje.

Obalowo fajësoi për aksident shpejtësinë dhe drejtimin e pakujdesshëm.

Aksidentet janë të zakonshme në rrugët e këqija të Nigerisë kryesisht për shkak të shpejtësisë dhe mosrespektimit të rregullave të trafikut.

Në korrik, 30 persona u dogjën për vdekje kur tre automjete u përplasën në një autostradë.