Botë

Elizabetha e Dytë, frymëzim për mbretin e ri

Britania është në zi për vdekjen e Mbretëreshës dhe të premten në kujtim të saj kanë rënë kambanat, ndërkaq pati edhe të shtëna topi. Në fjalimin e tij të parë si mbret, Charlesi i tretë ka thënë se do ta ndjekë shembullin e nënës së tij, e cila do të shërbejë si frymëzim për epokën e tij mbretërore

(BBC/AP) - Mbreti Charles i Tretë ka përkujtuar nënën e tij, Mbretëreshën Elizabetha e Dytë, në adresimin e tij para kombit të premten dhe ka folur për ndjenjat e thella të pikëllimit. Ai ka thënë se Elizabetha e Dytë ishte frymëzim dhe shembull për të dhe familjen. Ka theksuar se ajo ka jetuar jetë të mirë.

Duke folur për funeralin e nënës së tij, mbreti ka thënë se brenda një javësh Mbretëria e Bashkuar do të bëhet bashkë si komb dhe do ta varrosë atë.

“Në pikëllimin tonë të kujtojmë dhe nxjerrim fuqi nga shembulli i saj”, ka thënë Mbreti Charles.

Ai ka thënë se pasardhësi i tij, i biri Williami, do të marrë titullin Princi i Uellsit, ndërkaq bashkëshortja e tij, Catherine, do të bëhet Princesha e Uellsit.

Kambanat kanë rënë nëpër krejt Britaninë të premten teksa turma njerëzish janë mbledhur para pallateve mbretërore për të përkujtuar Mbretëreshën Elizabetha e Dytë teksa shteti po bëhet gati për epokën me mbretin e ri. Mbreti Charlesi i Tretë, i cili 73-vjetët e tij i ka kaluar duke u bërë gati për këtë rol, është takuar me kryeministren e re britanike.

Ai është ulur në fron gjatë periudhës së paqartësisë për vendin dhe vetë monarkinë. Teksa shteti ka nisur dhjetë ditët e zisë, njerëzit nga e gjithë bota janë tubuar para ambasadave britanike për ta përkujtuar Mbretëreshën, e cila vdiq të enjten në Kështjellën Balmoral në Skoci.

96 të shtëna topi janë planifikuar në Londër – nga një për secilin vit të jetës së Mbretëreshës. Ndërkaq dita e plotë e Charlesit si mbret do të jetë shumë e ngarkuar. Gjatë mbrëmjes ka mbajtur fjalimin teksa shumë britanikë janë të shqetësuar me faturat e energjisë elektrike, ngritjen e madhe të çmimeve, luftën në Ukrainë dhe paqartësia pas Brexitit.

Ai arriti në Pallatin Buckingham, shtëpinë e monarkëve në Londër, për herë të parë si sovran, teksa turma këndonte himnin britanik që tani quhet “God Save the King”. Ndërkaq një grua nga turma e puthi në faqe.

Teksa periudhës së dytë elizabetiane po i vinte fundi, mijëra njerëz kanë vendosur kurora lulesh në rrethojat e Pallatit Buckingham dhe pronave tjera mbretërore. Shumë britanikë kanë thënë se janë kohëra reflektimi.

Britaniku Giles Cudmore ka thënë se mbretëresha kishte kaluar në gjithçka, nga e mira te e keqja. Në Pallatin Holyrood të Edinburgut, April Hamilton qëndronte para hyrjes së bashku me të bijën. Nuk i mbante lotët.

“Është një moment i madh ndryshimi që do të ndodhë”, ka thënë ajo. “Po përpiqem ta mbaj veten”.

Politika e përditshme është ndalur përkohësisht. Deputetët kanë përkujtuar Mbretëreshën duke thirrur seancë dyditore, duke filluar nga e premtja kur kryeministrja Liz Truss e quajti mbretëreshën si “diplomaten më të mirë të kombit”. Deputetë seniorë pritet të marrin pjesë në betimin e Mbretit Charlesi i Tretë.

Anulimi i ngjarjeve

Ndërkohë, shumë ngjarje sportive dhe kulturore janë anuluar në shenjë respekti, ndërkaq mijëra biznese kanë mbyllur dyert. Banka e Anglisë ka shtyrë takimet e saj për një javë.

Kryepeshkopi i Canterburyt, Justin Welby, ka thënë se “një pjesë e madhe e jona ishte marrë si e garantuar, por kjo më nuk ekziston”.

Por, ndërsa vdekja e Elizabethës parashikon ndryshim monumental për disa, jeta e përditshme në Britani vazhdoi në aspekte të tjera, me fëmijët në shkollë dhe të rriturit në punë, duke u përballur me shqetësimet për inflacionin.

Të premten Truss dhe ministrat e tjerë kanë marrë pjesë në shërbimin përkujtimor në Katedralen e Shën Palit në Londër. Charles, i cili u bë monark menjëherë pas vdekjes së nënës së tij, do të shpallet zyrtarisht mbret në një ceremoni të veçantë të shtunën (sot).

Pas vigjiljes në Edinburg, arkivoli i Mbretëreshës do të sillet në Londër dhe do të qëndrojë për disa ditë para funeralit të saj në Westminster Abbey.

Elizabeth ishte monarkja më jetëgjatë e Britanisë dhe simbol i qëndrueshmërisë në epokë të trazuar që përjetoi rënien e perandorisë britanike dhe rrëmujën në familjen e saj.

Ndikimi i humbjes së Elizabeth do të jetë i paparashikueshëm. Ajo ndihmoi në stabilizimin dhe modernizimin e monarkisë përgjatë dekadave të ndryshimeve të mëdha shoqërore, por rëndësia e saj në shekullin e 21-të shpesh është vënë në pikëpyetje. Dashuria e vazhdueshme e publikut për mbretëreshën kishte ndihmuar në ruajtjen e mbështetjes për monarkinë gjatë skandaleve familjare, por Charles nuk është aq i popullarizuar

“Charles nuk mund ta zëvendësojë kurrë mbretëreshën”, ka thënë 31-vjeçarja londineze Mariam Sherwani.

Ashtu si shumë britanikë, ajo iu referua Elizabethës si figurë të një gjysheje. Të tjerë e krahasonin me nënat apo stërgjyshet e tyre.

Por në mbarë botën vdekja e saj zbuloi emocione kontradiktore për kombin dhe institucionet që ajo përfaqësonte. Në Irlandë, disa tifozë futbolli brohoritën.

Në Indi, dikur “xhevahiri në kurorën” e perandorisë britanike, sipërmarrësi Dhiren Singh përshkroi trishtimin e tij personal për vdekjen e saj, por shtoi: “Unë nuk mendoj se kemi vend për mbretër dhe mbretëresha në botën e sotme”.

Për disa Elizabetha ishte mbretëreshë, kurorëzimi i së cilës shkëlqeu me copa të një diamanti mahnitës 3,106 karatësh të nxjerrë nga minierat e zymta të Afrikës së Jugut, monarke që trashëgoi perandori të cilën afrikanët e urrenin.

Në vitet pasi ajo u bë mbretëreshë, dhjetëra mijëra Kikuyu etnikë në Kenia u grumbulluan në kampe nga kolonizatorët britanikë nën kërcënimin e rebelimit lokal të Mau Mau. Në të gjithë kontinentin shtetet hodhën poshtë sundimin britanik dhe zgjodhën pavarësinë në dekadën e saj të parë në fron.

Ajo udhëhoqi një fuqi që herë pas here u kritikua pasi u jepte leksione kombeve afrikane mbi demokracinë, por duke u mohuar shumë qytetarëve të tyre vizat për të vizituar Britaninë dhe për ta përjetuar atë nga afër.

Image

Mbretëresha e kurorës

Pas shtatë dekadave, Mbretëria e Bashkuar do të ketë një grua të re që do ta thërrasë mbretëreshë. Bashkëshortja e Charlesit, Camilla, Dukesha e Cornwallit, do të njihet si Mbretëresha e kurorës - titull që e mori në pajtim me Mbretëreshën Elizabeta e Dytë, shumë vjet para se të martohej me princin Charles.

Ishte e ditur se 75-vjeçarja do ta merrte titullin, ani pse nuk do të ketë fuqitë e sovranit. Teksa tradicionalisht bashkëshortja e mbretit kurorëzohet si mbretëreshë, pyetjet se çfarë titulli do të mbante Camilla kur Charlesi do të bëhej mbret kanë qenë ngacmuese për shumë vjet. Kjo ndodhi për shkak të ndjeshmërisë rreth statusit të saj si bashkëshortja e tij e dytë – dhe pikëllimit të madh që kaploi Britaninë pas vdekjes së ish-bashkëshortes së tij, Princeshës Diana, në një aksident komunikacioni gjatë vitit 1997.

Charlesi dhe anëtarët e tjerë të familjes mbretërore kanë vazhduar procedurat me shumë kujdes ndaj kësaj çështjeje, duke e ditur për reagimin publik ndaj Camillas si “person i tretë” që shembi martesën mes Charlesit dhe princeshës së tyre të dashur. Mirëpo gjatë dekadave Camilla fitoi zemrën e publikut britanik me thjeshtësinë, personalitetin dhe besnikërinë ndaj bashkëshortit.

Kur Camilla dhe Charles u martuan në një ceremoni të thjeshtë në vitin 2005, ajo ishte në fakt Princesha e re e Uellsit – titulli i Dianas - por në vend të këtij titulli, Camilla e vendosi atë të Dukeshës së Cornwallit. Që prej kësaj kohe, Camilla ka qenë e angazhuar në dhjetëra detyra mbretërore.

Ftohtësia ruse

Kremlini ani pse ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Mbretëreshës Elizabetha e Dytë, ka deklaruar se Mbretëresha britanike nuk mban ndonjë vend të veçantë në zemrat e rusëve. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskova, ka thënë se Mbretëresha është trajtuar me respekt në Rusi, si kudo tjetër në botë për autoritetin e saj ndërkombëtar.

Ai ka thënë se mbetet e paqartë nëse ndonjë përfaqësues rus, përfshirë presidentin Vladimir Putin, do të marrë pjesë në ceremonitë zyrtare për Mbretëreshën Elizabeth në Mbretërinë e Bashkuar. Për këtë Peskov ka thënë se varet nga Gjykata Mbretërore apo autoritetet britanike.

Që prej fillimit të luftës Britania vazhdimisht ka ndihmuar Ukrainën me armatim kundër Rusisë. Ndërkaq kryeministri Boris Johnson, me të cilin Mbretëresha ka mbajtur takime informuese çdo javë, dy herë e ka vizituar Kievin në kohë lufte.