Botë

Mbreti Charles III i drejtohet popullit britanik: Familja i ka një borxh të madh nënës sime

Mbreti i ri i Britanisë së Madhe, Charles III, iu drejtua popullit me një fjalim emocionues pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II të enjten, shkruan BBC. 

Charles III ka thënë se familja e tij i ka një borxh të madh Mbretëreshës për përkushtimin e saj në çdo kohë për detyrën që kishte.

“Unë ju flas sot me një dhimbje të thellë. Gjatë gjithë jetës së saj, Mbretëresha, nëna ime e dashur, ishte një frymëzim dhe shembull për mua dhe për të gjithë familjen time. Ne i detyrohemi asaj për borxhin më të sinqertë që çdo familje mund t'i ketë nënës së tyre, për dashurinë, udhëzimin dhe shembullin e saj", ka thënë ai.

“Përkushtimi i saj nuk u lëkund kurrë, si në kohë gëzimi, si në kohë trishtimi. Ajo bëri sakrifica për detyrën. Dashuria, admirimi dhe respekti që ajo frymëzoi u bënë një shenjë dalluese e mbretërimit të saj”, shtoi Mbreti.

Charles III u zotua se për sa do të jetë Mbret i Britanisë, do të mbajë parimet kushtetuese dhe do t’i shërbejë popullit me respekt, dashuri e besnikëri.

"Siç bëri vetë Mbretëresha me një përkushtim të tillë të palëkundur, edhe unë tani zotohem solemnisht gjatë gjithë kohës së mbetur që Zoti më jep, të mbajë parimet kushtetuese në zemër të kombit tonë. Kudo që të jetoni në Mbretërinë e Bashkuar ose në sferat dhe territoret anembanë botës dhe çfarëdo qoftë prejardhja dhe bindjet tuaja, unë do të përpiqem t'ju shërbej me besnikëri, respekt dhe dashuri, siç kam bërë gjatë gjithë jetës sime", u shpreh ndër të tjera djali i madh i Elizabeth II.

Mbretëresha Elizabeth II, monarkja më jetëgjatë e Britanisë së Madhe, vdiq në Balmoral të Skocisë, në moshën 96-vjeçare, pas mbretërimit për 70 vjet.