Botë

Gratë e ISIS kërkojnë të kthehen në atdhe

Gra të shumta mbërritën në Siri nga vende të ndryshme të botës me një qëllim: t’i bashkoheshin kalifatit të shpallur nga ISIS. Por tani ato janë arratisur dhe po mbahen nga forcat kurde në veri të Sirisë.

Gazetarja Shaimaa Khalil e BBC intervistoi disa prej tyre. Iman dhe bashkëshorti i saj braktisën Tunizine për Rakën, bastioni i Shtetit Islamik në Siri. Ai donte të ishte një luftëtar, ndërsa ajo të jetonte në një vend të qeverisur nga ligji islamik. Por kur mbërritën në Raka, gjërat ndryshuan shumë shpejt.

“Pamë gjëra të tmerrshme. Kur shtrihesha për të fjetur kisha shumë frikë për fëmijët dhe bashkëshortin tim. Ata vinin natë, mërrnin burrat tanë dhe i vrisnin”, thotë gruaja.

Është e vështirë të përcaktosh nëse gratë e arratisura janë viktima, thotë BBC në reportazhin saj, duke konsideruar se në një pikë të caktuar të gjitha ato kanë qenë pjesë e ISIS. Ndërsa roli i grave të kalifatit është kryesisht ai i bashkëshortes apo nënës, ka dhe nga ato që janë aktivizuar në luftime.

E ashtuquajtura Brigada e Khansas, e krijuar në Raka, përbëhej nga vetëm gra. Roli i tyre ishte të mundësonin zbatimin e rregullave të Shtetit Islamik dhe të kontrollonin gratë e tjera. “Njëra prej tyre torturonte gratë e tjera. Nëse dikush fliste keq për ISIS, ajo vinte dhe e merrte për ta mbyllur në një qeli të Shtetit Islamik”, thotë një grua tjetër, Khadija al Omari.

Shumë fëmijë, të marrë në luftë nga prindërit e tyre, nuk njohin asgjë tjetër përvëç jetës nën regjimin e ISIS dhe tani nënat e tyre duan t’i çojnë në atdhe. Iman lutet që ta pranojnë sërish në vendlindje dhe i bën thirrje atyre që janë ende me ISIS të shpëtojnë veten sa më shpejt. “Nëse vdes nuk shkon në parajsë. Nuk është ashtu siç ju premtojnë ata. Ju pret vetëm ferri”, tha ajo.