Botë

Një 1-vjeçar vdiq në veturë nga nxehtësia pasi u la qëllimisht në të nga babai

Një burrë në Ohio po përballet me akuza për vdekjen e djalit të tij 1-vjeçar pasi qëllimisht e la atë në një veturë derisa ishte nxehtë, raportoi CNN të shtunën.

Policia tha se fëmija ishte dërguar pavetëdije në emergjencë nga i ati i tij, 19-vjeçari Landon Parrot.

Gjatë hetimit, hetuesit panë se informacionet që u ishin dhënë nga babai, nuk përputheshin.

Kur u përballën me Parrotin, ky u tregoi se çfarë kishte ndodhur.

“Fëmija vdiq pasi u la në veturë pa mbikëqyrje për rreth pesë orë, me temperaturë të jashtme 30 gradë Celsius. Gjatë intervistës u pa se kjo nuk ishte çështje se e kishte harruar fëmijën, por ishte veprim i qëllimshëm ashtu që fëmija të mos ishte shqetësim për të sa qëndronte ai në shtëpi”, tha policia.

Parrot përballet me akuzën për vrasje, rrezikim të fëmijës dhe vrasje nga pakujdesia.

Ka pasur rritje vitet e fundit të numrit të fëmijëve që kanë vdekur pasi janë lënë në vetura me temperatura të larta.