Botë

Kina akuzohet për krime kundër njerëzimit në rajonin mysliman

Pekini i kishte bërë thirrje OKB-së që të mos e publikonte raportin duke e quajtur “farsë”, të aranzhuar nga fuqitë perëndimore. Raporti vlerëson pretendimet për abuzime kundër myslimanëve ujgurë dhe pakicave të tjera etnike. Por, hetuesit kanë gjetur “dëshmi të besueshme” të torturës së mundshme që mund të përbëjë “krim kundër njerëzimit”

Kombet e Bashkuara kanë akuzuar Kinën për “shkelje serioze të të drejtave” të njeriut në krahinën e pakicës myslimane ujgure në vend. Dëshmitë për abuzime serioze janë faktuar në një raport të shumëpritur.

Pekini i kishte bërë thirrje OKB-së që të mos e publikonte raportin duke e quajtur “farsë”, të aranzhuar nga fuqitë perëndimore.

Raporti vlerëson pretendimet për abuzime kundër myslimanëve ujgurë dhe pakicave të tjera etnike, por që Kina i hedh poshtë. Por, hetuesit kanë gjetur “dëshmi të besueshme” të torturës së mundshme që mund të përbëjnë “krim kundër njerëzimit”.

Grupet për të drejtat e njeriut kanë ngritur alarmin për çfarë po ndodh në krahinën veriperëndimore për vite me radhë, duke ngritur dyshimet se më shumë se një milion ujgurë ishin arrestuar kundër vullnetit të tyre në kuadër të një projekti të madh në “kampet e riedukimit”.

Vetë BBC-ja ka dokumentuar viteve të fundit dyshimet – përfshirë dosje të policisë në ato qendra – që duket se mbështesin pretendimet, si dhe dyshimet për përdhunime, torturë dhe sterilizim të dhunshëm.

Kina i hedh poshtë dëshmitë

Kina gjithnjë i hedh poshtë vendosmërisht akuzat për shkelje.

Megjithatë, raporti i Kombeve të Bashkuara ka nxjerrë përfundimin se “përmasat e burgosjes arbitrare dhe diskriminuese të ujgurëve dhe grupeve të tjera kryesisht myslimane mund të përbëjnë krime ndërkombëtare, sidomos krime kundër njerëzimit”.

Në raport ndër të tjera është thënë shprehimisht se: “Akuzat për torturë ose keqtrajtim, përfshirë trajtimin e detyruar mjekësor dhe kushtet e tmerrshme të burgosjes, janë të besueshme, sikur janë edhe akuzat për incidente individuale të dhunës me bazë gjinore dhe seksuale”; “indikacione të besueshme të shkeljeve të të drejtës reproduktive nëpërmjet zbatimit shantazhues të politikave të planifikimit familjar që nga viti 2017; “ngjashëm, ka indikacione se skemat e punësimit për qëllime të pretenduara të parandalimit të ‘ekstremizmit’ mund të përfshijë elemente të shantazhit dhe diskriminimit mbi baza etnike dhe fetare”.

Raporti i ka rekomanduar Kinës që menjëherë të marrë hapa të lirojë të gjithë personat që u është provuar liria në mënyrë arbitrare.

Pekini tashmë ka hedhur poshtë të dhënat e raportit me zëdhënësen e Ministrisë së Jashtme që ka thënë para gazetarëve se “të ashtuquajturat ishin mbledhur bazuar në dezinformata për t’iu shërbyer qëllimeve politike”.

Kongresi Botëror i Ujgurëve ka mirëpritur raportin dhe i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të dalë me një kundërpërgjigje.

“Pavarësisht prej mohimeve të tmerrshme të Qeverisë kineze, OKB-ja ka njohur zyrtarisht krimet e tmerrshme që po kryhen”, ka deklaruar Omer Kanat, drejtor ekzekutiv i Projektit të të Drejtave Ujgure.

12 milionë ujgurët e terrorizuar

Janë rreth 12 milionë ujgurë, shumica myslimanë, që jetojnë në Xinjiang. OKB-ja vlerëson në raport se shkelje janë kryer edhe ndaj jomyslimanëve të rajonit.

Shtetet e Bashkuara dhe shumë deputetë në vende të ndryshme kanë denoncuar më parë aksionet e Kinës në Xinjiang si gjenocid, por OKB-ja nuk e ka vlerësuar deri në këtë shkallë.

Pekini, që e ka lexuar raportin para publikimit, i ka hedhur poshtë akuzat dhe ka argumentuar se kampet janë mjet për luftimin e terrorizmit.

Kina gjithnjë ka ngulmuar se militantët ujgurë po ndërmarrin fushata të dhunshme për krijimin e një shtetit të pavarur ujgur, por është akuzuar se po e ekzagjeron kërcënimin me qëllim që të justifikojë represionin ndaj ujgurëve.

Delegacioni kinez në Këshillin për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë ka hedhur poshtë akuzat, duke vlerësuar se raporti ka për qëllim njollosjen e shtetit kinez. Pekini deklaron gjithashtu se raporti në fakt është përzier në punë të brendshme të një shteti të pavarur.

Kina ngulmon se kampet ofrojnë leksione të mrekullueshme për ujgurët dhe pakicat e tjera turkike për t’i mbajtur larg terrorizmit dhe ekstremizmit. Por dëshmitë e siguruara më parë edhe nga BBC-ja dëshmojnë se si ujgurët dhe pakicat e tjera po përballen me tortura në kampe me pretendimin se po edukohen.