Botë

Tre policë kanadezë akuzohen për vrasjen e 1-vjeçarit gjatë luftimit me babanë e tij

Tre zyrtarë policorë kanadezë janë akuzuar për vrasjen me armë zjarri të një fëmije 18-muajshe në nëntor të vitit 2020, shkroi të enjten BBC-ja.

Këto akuza u bënë pas një hetimi gati dy-vjeçar nga mbikëqyrësi i policisë së Ontarios, Njësia Speciale e Hetimit.

Fëmija Jameson Shapiro, është vrarë kur policia ka qëlluar në kamionin që drejtohej nga babai i tij, pas një raportimi për rrëmbim të fëmijës.

Policët e Policisë Provinciale të Ontarios, Nathan Vanderheyden, Kenneth Pengelly dhe Grayson Cappus përballen secili me një akuzë të vetme të vrasjes nga pakujdesia dhe neglizhencës kriminale që shkakton vdekjen e Jamesonit, njoftoi policia të mërkurën në mbrëmje.

Ata planifikohet të dalin në gjykatë më 6 tetor.

Incidenti ndodhi mëngjesin e 26 nëntorit të vitit 2020 pasi policia mori një telefonatë duke pretenduar se babai 33-vjeçar i djalit e kishte rrëmbyer atë nga shtëpia e tij në Trent Lakes, Ontario.

Gjatë tentativës për të ndaluar kamionin ka ndodhur një përplasje dhe një polic ka mbetur i lënduar rëndë, pas së cilës efektivët e policisë hapën zjarr ndaj personit të dyshuar.

Babai u qëllua dhe më pas vdiq në spital. Jameson, i cili ishte në kamionçinë, gjithashtu u qëllua dhe vdiq në vendngjarje.

Policia njoftoi në shkurt 2021 se provat mjeko-ligjore treguan se djali u qëllua nga policia.