Botë

Policët kapen në video duke rrahur e tërhequr zvarrë vajzat në një jetimore në Arabinë Saudite

Autoritetet saudite kanë thënë se kanë hapur hetim pas publikimit të videos ku shiheshin forcat e sigurisë duke rrahur vajza adoleshente në një jetimore.

Në pamje, policia dhe zyrtarët në rroba civile shihen duke bastisur Shtëpinë e Edukimit Social në Khamis Mushait.

Një zyrtar shihet duke e tërhequr zvarrë pë flokësh një vajzë që bërtet, kurse një polic e godet atë me një rrip.

Vajzat e tjera shihen duke u ndjekur dhe rrahur me shkopinj druri, raportoi BBC. 

Rrethanat dhe koha e incidentit nuk janë të qarta, por dikush në Twitter pretendoi në video se vajzat kishin hyrë në grevë kundër korrupsionit dhe padrejtësisë duke kërkuar të drejtat e tyre nga jetimorja dhe se ishin refuzuar.

Më pas u publikuan fotografi që tregonin gërvishtje në trupat e vajzave dhe u pretendua se një zyrtar i lartë i kishte kërcënuar nëse videot nuk fshiheshin nga rrjetet sociale.