Botë

Gorbaçovi i mirë, Gorbaçovi i keq, apo lideri që e ndryshoi botën

Në Perëndim u nderua të mërkurën si lider i rrallë që ndryshoi rrjedhën e historisë botërore dhe që për një kohë e solli shpresën për paqe midis superfuqive. Por njeriu që vdiq të martën në moshën 91-vjeçare u përçmua nga shumë bashkatdhetarë rusë, të cilët e fajësuan për prishjen e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. Rusia, që doli nga shteti sovjetik, u tkurr në madhësi e fuqi pasi u krijuan edhe 15 shtete të tjera

Mihail Gorbaçov, lideri i fundit i Bashkimit Sovjetik dhe për shumëkënd burri që riktheu demokracinë në vendet evropiane të sunduara, deri atëherë nën komunizëm, u nderua të mërkurën si një lider i rrallë që ndryshoi botën dhe për një kohë solli shpresën për paqe midis superfuqive.

Por njeriu që vdiq të martën në moshën 91-vjeçare u përçmua gjithashtu nga shumë bashkatdhetarë të cilët e fajësuan për prishjen e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991 dhe zvogëlimin e tij, dikur superfuqi. Rusia që doli nga shteti sovjetik u tkurr në madhësi pasi u krijuan 15 shtete të reja.

Humbja e krenarisë e ngriti Putinin

Humbja e krenarisë dhe fuqisë gjithashtu çoi përfundimisht në ngritjen e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili është përpjekur për çerekshekullin e kaluar t'ia kthejë Rusisë lavdinë e saj të mëparshme dhe më gjerë.

Presidenti amerikan, Joe Biden, vlerësoi Gorbaçovin për hapjen ndaj ndryshimeve demokratike. Gorbaçovi fitoi Çmimin Nobel për Paqen në vitin 1990 për rolin e tij në përfundimin e Luftës së Ftohtë.

“Pas dekadash represioni brutal politik, ai përqafoi reformat demokratike. Ai besonte në glasnostin dhe perestrojkën – hapjen dhe ristrukturimin – jo si slogane të thjeshta, por si shtegdalje për popullin e Bashkimit Sovjetik pas kaq shumë vjetësh izolimi dhe privimi”, tha Bideni.

Biden shtoi se “këto ishin aktet e një lideri të rrallë –aso me imagjinatën për të parë se një e ardhme ndryshe ishte e mundur dhe me guximin për të rrezikuar të gjithë karrierën e tij për ta realizuar atë. Rezultati ishte një botë më e sigurt dhe liri më e madhe për miliona njerëz”.

Gorbaçovi u nderua gjerësisht jashtë vendit. Putini pranoi se Gorbaçovi kishte "ndikim të thellë në rrjedhën e historisë botërore".

“Ai e udhëhoqi vendin gjatë ndryshimeve të vështira dhe dramatike, mes sfidave të politikës së jashtme në shkallë të gjerë, ekonomike dhe sociale”, tha Putini në një telegram të shkurtër, duke i shprehur ngushëllime familjes së Gorbaçovit.

“Gorbaçovi e kuptoi se reformat ishin të nevojshme dhe u përpoq t’i ofronte zgjidhjet e tij për problemet akute”, tha Putini.

Image
Presidenti rus, Vladimir Putin, djathtas, bisedon me liderin e fundit sovjetik, Mihail Gorbaçov në fillim të një konference shtypi në Kështjellën Gottorf në Schleswig në Gjermaninë veriore të martën e 21 dhjetorit 2004

“Gorbaçovi duhej të pendohej....”

Reagimet nga zyrtarët dhe ligjvënësit rusë ishin të përziera. Ata lavdëruan Gorbaçovin për përfundimin e Luftës së Ftohtë, por e kritikuan atë për rënien e Bashkimit Sovjetik.

Oleg Morozov, anëtar i partisë kryesore të Kremlinit, Rusia e Bashkuar, tha se Gorbaçovi duhet të ishte “penduar” për gabimet që ishin kundër interesave të Rusisë.

“Ai ishte bashkautor i vullnetshëm ose i padëshiruar i rendit të padrejtë botëror që ushtarët tanë po luftojnë tani në fushën e betejës”, tha Morozov, duke iu referuar luftës aktuale të Rusisë në Ukrainë.

Lech Walesa, udhëheqësi i lëvizjes pro demokracisë së Polonisë, Soldarnosti, në vitet 1980 dhe presidenti i vendit nga 1990-1995, kishte një pikëpamje më të nuancuar për Gorbaçovin. Ai tha se “e admironte, madje e pëlqente atë, por nuk e kuptonte”.

“Ai besonte deri në fund se komunizmi mund të reformohej, por unë, përkundrazi, nuk besoja se ishte e mundur”, tha Walesa për median Wirtualna Polska.

Walesa shtoi: “Ai e dinte se Bashkimi Sovjetik nuk mund të zgjaste më shumë dhe po bënte gjithçka që mundej për të parandaluar që bota të vinte Rusinë në llogari për komunizmin. Dhe ai pati sukses”.

Udhëheqësit botërorë i bënë homazhe një njeriu që disa e përshkruan si një udhëheqës të madh dhe të guximshëm.

Roli i “Gorbit” për ribashkimin e Gjermanive

Në Gjermani, ku Gorbaçovi konsiderohet si një nga baballarët e ribashkimit të vendit në vitin 1990 dhe i referohet gjerësisht si "Gorbi", ish-kancelarja Angela Merkel e përshëndeti atë si "një politikan unik botëror".

“Gorbaçovi shkroi historinë botërore. Ai tregoi se si një burrë shteti i vetëm mund ta ndryshojë botën për mirë”, tha ajo, duke kujtuar se si kishte frikë se tanket ruse mund të futeshin në Gjermaninë Lindore, ku ajo jetonte, pasi Muri i Berlinit ra në vitin 1989.

Kancelari aktual gjerman, Olaf Scholz, vlerësoi Gorbaçovin për hapjen e rrugës për ribashkimin e vendit të tij, megjithëse gjithashtu spikati se Gorbaçovi vdiq në një kohë kur shumë prej arritjeve të tij janë shkatërruar.

"Ne e dimë se ai vdiq në një kohë kur jo vetëm demokracia në Rusi ka dështuar - nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ta përshkruar situatën aktuale atje - por gjithashtu Rusia dhe presidenti rus, Putin, po hapin llogore të reja në Evropë dhe kanë filluar një luftë të tmerrshme kundër një vendi fqinj, Ukrainës”, tha Scholz.

Kryeministri britanik në largim, Boris Johnson, tha se “në një kohë të agresionit të Putinit në Ukrainë, angazhimi i palodhshëm (i Gorbaçovit) për hapjen e shoqërisë sovjetike mbetet një shembull për të gjithë ne”.

“Njeri i paqes” dhe “i shtypjes”

Presidenti francez, Emmanuel Macron, e përshkroi Gorbaçovin si “një njeri të paqes, zgjedhjet e të cilit hapën një rrugë lirie për rusët. Angazhimi i tij për paqen në Evropë ndryshoi historinë tonë të përbashkët”.

Të tjerë në Evropë sfiduan kujtimet pozitive të Gorbaçovit.

Gabrielius Landsbergis, kryediplomati i Lituanisë, i cili është gjithashtu djali i Vytautas Landsbergis, i cili udhëhoqi lëvizjen për pavarësi të Lituanisë në fillim të viteve 1990, shkroi në Twitter se "lituanët nuk do ta lavdërojnë Gorbaçovin".

Në vendin baltik, ende janë të freskëta kujtimet e 13 janarit 1991, kur qindra lituanë u drejtuan drejt kullës së televizionit në Vilnius për t’i kundërshtuar trupat sovjetike të dislokuara për të shtypur përpjekjen e vendit për të rivendosur pavarësinë e tij. Në përleshjet që pasuan, 14 civilë u vranë dhe më shumë se 140 të tjerë u plagosën. Moska njohu pavarësinë e Lituanisë në gusht të atij viti.

“Nuk do ta harrojmë kurrë faktin e thjeshtë që ushtria e tij vrau civilë për ta zgjatur pushtimin e vendit tonë nga regjimi i tij. Ushtarët e tij qëlluan mbi protestuesit tanë të paarmatosur dhe i shtypën nën tanket e tij. Kështu do ta kujtojmë”, ka shkruar Landsbergis.

Por një lider tjetër baltik, presidenti leton, Egils Levits, vuri në dukje se politikat e Gorbaçovit mundësuan pavarësinë përfundimtare të tri vendeve baltike.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e quajti Gorbaçovin “burrështetas të veçantë që ndryshoi rrjedhën e historisë” dhe “bëri më shumë se çdo individ tjetër për ta sjellë fundin paqësor të Luftës së Ftohtë”.

“Bota ka humbur një lider global të madh, një avokat të përkushtuar multilateral dhe të palodhur për paqen”, tha shefi i OKB-së.

Hapja e dyerve për hebrenjtë sovjetikë

Bashkëkohësit e Gorbaçovit vunë në dukje fundin e Luftës së Ftohtë si një nga arritjet e tij.

“Mihail Gorbaçov luajti një rol kritik në përfundimin paqësor të Luftës së Ftohtë. Në vend të tij, ai ishte një figurë me rëndësi historike, por jo ashtu siç synonte”, tha Robert M. Gates, i cili drejtoi CIA-n nga viti 1991 deri më 1993 dhe më vonë u bë sekretar i Mbrojtjes i SHBA-së.

Duke e quajtur Gorbaçovin “udhëheqës trim dhe burrë të madh shteti”, kryeministri izraelit, Yair Lapid, tha se lideri i fundit sovjetik “hapi portat e Bashkimit Sovjetik për valën e madhe të imigrimit hebre në Izrael në vitet ‘90”.

Në Azi, Gorbaçovi u kujtua si lider me guximin për të sjellë ndryshim.

Kina e njohu rolin e Gorbaçovit në restaurimin e marrëdhënieve midis Moskës dhe Pekinit. Gorbaçovi ishte frymëzim për mendimtarët reformistë në Kinë gjatë fundit të viteve ‘80 dhe vizita e tij në Pekin në vitin 1989 shënoi një pikënisje në marrëdhëniet midis palëve.

“Zoti Gorbaçov dha kontribut pozitiv në normalizimin e marrëdhënieve midis Kinës dhe Bashkimit Sovjetik. Ne e vajtojmë vdekjen e tij dhe shprehim ngushëllimet tona për familjen e tij”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Zhao Lijian.