Botë

Indonezi, 10 të vdekur, shumica prej tyre fëmijë, pasi kamioni përplaset në stacion të autobusit

Një kamion që po transportonte hekur është përplasur për një stacioni të autobusit në kryeqendër të Indonezisë, Xhakarta, duke shkaktuar vdekjen e së paku 10 personave, shumica e tyre nxënës të shkollës fillore, raporton agjencia AP.

Fëmijët po prisnin në stacion për autobusin për t’u kthyer nga shkolla në shtëpi, kur kamioni humbi kontrollin dhe u përplas te stacioni në zonën Bekasi.

Ishin rreth 20 fëmijë në vendin e ngjarjes, të lënduarit janë dërguar në dy spitale.

Kamioni po ashtu kishte goditur një shtyllë të telekomunikacionit e cila ra dhe goditi një motoçikletë dhe një veturë. Drejtuesi i veturës vdiq në vend të ngjarjes.

Policia ka arrestuar shoferin e kamionit. Nuk është bërë e qartë arsyeja e aksidentit.