Botë

SHBA-ja do të emërojë për herë të parë ambasador për Arktikun

Shtetet e Bashkuara po planifikojnë të emërojnë një ambasador për Arktikun, mes rritjes së aktivitetit ushtarak rus në rajon.

“Ambasadori i Madh” do të vendoset për të çuar përpara politikën e SHBA-së në rajonin polar verior, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel, raportoi BBC të shtunën.

Të premten, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, paralajmëroi për kërcënimin që paraqet Rusia në rajonet polare veriore. Ai shprehu gjithashtu shqetësim për shtrirjen e Kinës në Arktik.

Ambasadori i ri i SHBA-së do të angazhohet me shtatë vendet e tjera të Arktikut – Kanadanë, Danimarkën, Finlandën, Islandën, Norvegjinë, Suedinë dhe Rusinë – si dhe me grupe indigjene dhe palë të tjera të interesuara, tha zëdhënësi Patel.

“Paqja dhe stabiliteti në rajon janë me rëndësi strategjike kritike për SHBA-në dhe një prioritet për sekretarin e Shtetit, Antony Blinken”, ka thënë Patel.

Blinken së shpejti do ta emërojë ambasadorin, i cili më pas duhet të miratohet nga senati.

Njoftimi vjen pasi Rusia rriti praninë e saj pranë Polit të Veriut, ndërsa Kina ka ndërtuar stacione kërkimore në Arktik.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, vizitoi Arktikun kanadez të premten, ku tha se aftësitë e Rusisë në veri janë një sfidë strategjike për aleancën ushtarake.

Ai tha se sfidat përfshijnë rihapjen e "qindra vendeve të reja ushtarake të epokës sovjetike të Arktikut" dhe përdorimin nga Rusia të veriut të lartë "si një shtrat provë për armët më të avancuara, duke përfshirë raketat hipersonike".

Stoltenberg shprehu gjithashtu shqetësim për shtrirjen e Kinës në Arktik për kërkimin e anijeve dhe burimeve.