Botë

Politikani indian i partisë në pushtet arrestohet për fyerje të profetit Muhamed

Descriptive Text

Policia në qytetin indian, Hyderabad, ka arrestuar një lider të suspenduar të partisë qeverisëse të Indidsë, Bharatiya Janata”, për deklarata fyese për profetin Muhamed.

Policia arrestoi T Raja Singh pasi mijëra myslimanë dolën rrugëve në qytet për të protestuar kundër fjalimit të tij, shkroi të premten The Guardian.

Pas arrestimit të tij, policia tha se ai kishte mbajtur “zakonisht fjalime provokuese dhe nxitëse dhe kishte krijuar çarje mes komuniteteve që çonte në çrregullime publike”.

Ai u akuzuar edhe për përfshirje në 18 shkelje të tjera në të kaluarën.

Singh i cili ishte dy herë deputet u arrestua dy ditë pasi partia e suspendoi për fjalimet e tij urrejtëse dhe aktivitete të tjera.

Pas suspendimit, partia tha se pikëpamjet e tij ishin vetëm të tijat dhe “në kundërshtim me pozicionin e partisë”.

Çështja u ngrit dy javë më parë kur Singh kërcënoi se do të ndërpresë me dhunë shfaqjen në Hyderabad të komedianit mysliman, Munawar Faruqui. Singh pretendoi se Faruqui kishte bërë shaka me perënditë hindu dhe kishte ofenduar ndjenjat e hinduve.

Në një video tjetër, ai nënçmoi profetin Muhamed. Singh për shumë kohë është akuzuar për fjalime me cak islamin dhe myslimanët.