Botë

Trumpi “privatizoi” 300 dokumente sekrete

Gazeta amerikane “New York Times” shkruan se agjentët e FBI-së kanë sekuestruar treqind dokumente të klasifikuara në aksionin e kryer javë më parë në pushimoren e ish-presidentit Donald Trump në Florida.

Arkivat kombëtare amerikane njoftuan se 150 prej dokumenteve konsideroheshin materiale të ndjeshme, çfarë e vërteton urgjencën e Departamentit të Drejtësisë për bastisur shtëpinë e ish-presidentit republikan. Stoku i parë i dokumenteve i sekuestruar në janar ishte bërë shkas pse agjentët e FBI-së kryen një aksion të madh në Mar-a-Lago këtë muaj në kërkim të materialeve të tjera.

Në total, Qeveria amerikane ka rikthyer më shumë se treqind dokumente të kategorizuara si të klasifikuara nga Trumpi pas largimit të tij nga Shtëpia e Bardhë në janarin e vitit të kaluar. Një tjetër grumbull dokumentesh sekrete i ishte dorëzuar Departamentit të Drejtësisë nga këshilltarët e Trumpit në qershor.

Vëllimet e mëparshme të paraportuara të materialit të ndjeshëm të gjetur në pronat e ish-presidentit në janar ndihmojnë për të shpjeguar se pse Departamenti i Drejtësisë u desh të vepronte urgjentisht në kërkim të dokumenteve tjera të klasifikuara që Trumpi mund t’i ketë marrë nga Shtëpia e Bardhë, shkruan “New York Times”.

Donald Trumpi i ka hedhur poshtë dyshimet dhe akuzat për keqpërdorim të detyrës, duke akuzuar drejtësinë amerikane se është kthyer në mjet të asaj që e ka quajtur gjuetia më e madhe e shtrigave kundër planeve të tij për të garuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

E paqartë mbetet përmbajtja e materialeve të privatizuara nga Trumpi. Por 15 kutitë që Trumpi ia ktheu në janar FBI-së, pothuajse një vit pas përfundimit të mandatit presidencial, përfshinin dokumente të CIA-s, Agjencisë së Sigurisë Kombëtare dhe të FBI-së të lidhura me interesin e sigurisë kombëtare, ka bërë të ditur një burim për “New York Times”.

Raportohet se Trumpi i kishte kontrolluar vetë kutitë në fund të vitit 2021 para se t’i dorëzonte, kanë konfirmuar disa burime të lidhura me hetimin, shkruan gazeta njujorkeze.

Natyra tepër e ndjeshme e disa dokumenteve në kuti kishte shtyrë zyrtarët e arkivave t’ia referonin çështjen Departamentit të Drejtësisë, që brenda pak muajsh themeloi një ekip të madh për hetimin e ish-presidentit.