Botë

Paqja në tokat talebane sundon bashkë me urinë

Shumë banorë këtu mbështetën kryengritjen e talebanëve kundër ish-qeverisë afgane dhe forcave të udhëhequra nga SHBA-ja që e mbështetën atë, ndërsa të tjerë thjesht u lehtësuan kur dhuna që rrënoi jetën e tyre, më në fund ka marrë fund. “Ka liri dhe nuk ka probleme”, thotë një burrë. “Edhe kur jam duke falur vaktet e namazit, vazhdoj të mendoj për borxhet e mia dhe si do t’i paguaj ato”, thotë Haxhi Baridad, kontraktues ndërtimi

Një vit pas pushtimit të talebanëve, korrespondenti i BBC-së, Secunder Kermani, viziton qendrat e grupit në Afganistanin jugor duke mësuar se paqja ka çmim të lartë.

Në një copë toke me pluhur pranë Lumit Helmand, përgjatë asaj që dikur ishte një nga vijat e para të luftës, dy djem adoleshentë janë rrokur fort, duke u përpjekur ta luftojnë njëri-tjetrin derisa ta shtrijnë përtokë. Të ulur në një rreth të gjerë, spektatorët shikojnë me padurim ndërsa drita e hershme e mbrëmjes fillon të zbehet.

Jemi në distriktin Sangin në Afganistanin jugor, skenë e disa prej përleshjeve më vdekjeprurëse të dy dekadave të fundit. Pjesa më e madhe e qytetit është ende në rrënoja, megjithëse një numër shtëpish po rindërtohen ndërsa banorët kthehen në shtëpi, duke shijuar shijen e parë të paqes ndër vite, shkruan Kermani i BBC-së.

Image
Megjithatë, në zonat rurale, veçanërisht në jug dhe lindje, ka shumë të tjerë që ose mbështesin talebanët ose që mendojnë se jeta nën sundimin e tyre është e preferueshme, sesa jeta në luftë

Sporti, i ndaluar për gratë

Nuk ka gra në mes të turmës: në këtë pjesë thellësisht konservatore të vendit, ato mbahen kryesisht pas dyerve të mbyllura. Shumë banorë këtu mbështetën kryengritjen e talebanëve kundër ish-qeverisë afgane dhe forcave të udhëhequra nga SHBA-ja që e mbështetën atë, ndërsa të tjerë thjesht u lehtësuan kur dhuna që rrënoi jetën e tyre, më në fund ka marrë fund.

“Jeta është shumë mirë tani, njerëzit janë të lumtur”, thotë Lalai, i cili ka organizuar ndeshjen e mundjes. “Ka liri dhe nuk ka probleme”, ndërhyn një burrë tjetër.

Me këdo që flisni këtu janë prekur nga lufta. “Nuk do të gjesh një shtëpi në rreth pa të paktën dy-tre të afërm të martirizuar”, na thotë Lalai.

Shumë afganë ndihen thellësisht të dëshpëruar për drejtimin që po merr vendi nga talebanët. Megjithatë, në zonat rurale, veçanërisht në jug dhe lindje - të dominuara nga etnia pashtun - ka shumë të tjerë që ose mbështesin talebanët ose që mendojnë se jeta nën sundimin e tyre është e preferueshme sesa jeta në luftë.

Kujtimet e konfliktit janë kudo në Sangin: mbeturinat e shtëpive të rrafshuara nga sulmet ajrore të SHBA-së ose Qeverisë afgane, si dhe shenjat në rrugën që të çon në kryeqytetin e Helmandit, Lashkar Gah, të lëna nga bombat talebane.

Image
Brenda Lashkar Gahut, të gjithë me të cilët flasim, lavdërojnë sigurinë e përmirësuar, por ka një betejë të re në qytetet afgane, kundër urisë

Lufta për mbijetesë

Brenda Lashkar Gahut, të gjithë me të cilët flasim, lavdërojnë sigurinë e përmirësuar, por ka një betejë të re në qytetet afgane, kundër urisë.

Financimi i huaj që përdorej për të mbështetur qeverinë e mëparshme është shkurtuar dhe rezervat bankare të Afganistanit janë ngrirë që kur talebanët morën pushtetin vitin e kaluar. Tani varfëria dhe kequshqyerja e fëmijëve janë në rritje, shkruan BBC-ja.

“Unë dal te rrethrrotullimi në agim për të gjetur punë si punëtor”, na thotë një i moshuar, “por nëse edhe një person vjen duke ofruar punë, 50 të tjerë vërshojnë së pari rreth tij”.

Një turmë mblidhet rreth nesh ndërsa flasim, të gjithë ankohen për rritje të mprehta të çmimeve të ushqimeve dhe mungesë mundësish.

“Edhe kur jam duke falur vaktet e namazit, vazhdoj të mendoj për borxhet e mia dhe si do t'i paguaj ato”, thotë Haxhi Baridad, kontraktues ndërtimi. Megjithatë, shton ai, është i lumtur që lufta ka përfunduar. “Unë jetoj jashtë qytetit dhe nuk mund të udhëtoj natën, tani mundem... Por nuk po fitoj asgjë”.

Talebanët kanë shkallë të madhe të mbështetjes në Afganistan, veçanërisht në vende si Helmandi, megjithëse duke qenë se ata kundërshtojnë ashpër zgjedhjet demokratike, është e pamundur të përcaktohet pesha e saj, shkruan Kermani i BBC-së.

Ndalimi i fjalës së lirë

Helmandi, megjithatë, është gjithashtu një nga provincat më të kontrolluara në vend. “Na është thënë se kushdo që kritikon publikisht talebanët përballet me arrestim ose edhe më keq”, shkruan ai.

Në dhjetor 2021, Naveed Azimi, mësues i anglishtes, u arrestua nga talebanët në Helmand pasi kishte shkruar një postim në Facebook duke kritikuar mungesën e pagave për punonjësit e qeverisë. Jo shumë kohë më vonë, trupi i tij i pajetë u hodh në lumë.

Duke folur në kushte anonimiteti, një tjetër kritik lokal i talebanëve i tha BBC-së se rreth 20 persona në total ishin arrestuar për aktivitetin e tyre në mediat sociale.

"Nuk mund të thuash asgjë fare", tha ai, duke përshkruar se si disa thjesht u kërcënuan ndërsa të tjerët u mbajtën në burg. “Talebanët kanë lloje të ndryshme torturash për ta, duke i goditur me kabllo dhe tuba, duke mbajtur kokën nën ujë”.

“Nga Helmandi u nisëm për në Kandahar. Ngasja e makinës zgjat më pak se tri orë, por do të ishte e paimagjinueshme për ne gjatë luftës. Në fushat buzë rrugës, fermerët mbledhin rrush, por është një tjetër kulturë për të cilën njihet më shumë kjo pjesë e vendit”, përshkruan Kermani.

Opiumi i rritur në Afganistan prodhon shumicën dërrmuese të heroinës në botë, dhe në të kaluarën, ka qenë burim i vlefshëm të ardhurash, si për fermerët e varfër, ashtu edhe për talebanët.

Lufta e suksesshme kundër opiumit

Tani talebanët e kanë ndaluar kultivimin e tij. Disa fusha me lulëkuqe të thara janë gjithçka që ka mbetur nga prodhimet më të fundit. Shaista Gul, fermer i moshuar me fytyrë të rrudhur, është e shqetësuar. “Asgjë tjetër që mbjellim nuk mund të na sjellë mjaftueshëm para”, thotë ai.

Megjithatë, duke pasur parasysh ndalimin, ai nuk ka në plan të përpiqet të mbjellë opium përsëri. Talebanët mund të jenë gati të arrijnë atë që SHBA-ja nuk mundi kurrë, duke zhdukur në mënyrë thelbësore prodhimin e lulëkuqes. Opiumi që tashmë është përpunuar, megjithatë, është ende duke u tregtuar hapur në tregje.

“Disa thonë se njerëzit e pasur kanë grumbulluar shumë opium”, na thotë Shaista Gul përt BBC-në, “duke pritur që çmimet të rriten edhe më shumë. Kështu që ata janë të lumtur”.

Mbërrijmë në Kandahar, qyteti i dytë më i madh në Afganistan dhe shtëpia shpirtërore e talebanëve. Pikërisht në një faltore këtu, themeluesi i talebanëve, Mullah Omar, u shpall "Udhëheqës i Besimtarëve" në vitin 1996, teksa qëndronte para një turme, duke mbajtur një mantel që thuhet se i përkiste profetit Muhamed.

“Talebanët ishin shumë më të rreptë në atë kohë”, i thotë një dëshmitar i moshuar ekipit të televizionit britanik. “Tani ata nuk po i detyrojnë njerëzit të rrisin mjekrën, për shembull”.

Qeveria e talebanëve është e vendosur në Kabul, por në Kandahar merren vendimet përfundimtare. Këtu banon edhe lideri suprem i talebanëve.

“Shembulli i fundit i vendosmërisë së talebanëve është ndëshkimi trupor. Deri më tani, ai nuk është zbatuar gjerësisht, por muajin e kaluar, zyrtarët talebanë në Kandahar njoftuan se tre persona ishin rrahur për seks jashtë martesës dhe për vjedhje”, shkruan Kermani i BBC-së.