Botë

Polonia nxjerr 100 tonë peshq të ngordhur nga lumi Oder

polonia, peshq

Zjarrfikësit polakë kanë nxjerr 100 tonë peshq të ngordhur nga lumi Oder që kalon nëpër Gjermani dhe Poloni, duke thelluar shqetësimet për një fatkeqësi mjedisore, për të cilën ende nuk është identifikuar asnjë shkak.

“Nuk kemi pasur kurrë një operacion të tillë në një lumë më parë”, tha Monika Nowakowska-Drynda nga Zyra për Media e Departamentit të Zjarrfikësve, raportoi The Guardian të mërkurën.

Ajo konfirmoi se rreth 100 tonë peshq të ngordhur u gjetën që nga e premtja. Më shumë se 500 zjarrfikës kanë qenë pjesë e operacionit në Poloni dhe peshqit u gjetën me ndihmën e varkave e dronëve.

Komunat në Gjermani kanë ndaluar peshkimin dhe larjen në Oder, pasi mijëra peshq u gjetën edhe atje mbi ujin e lumit që rrjedh nga Republika Çeke në Detin Baltik.

Aktivistët shprehën frikën se ngordhjet masive mund të shkaktonin katastrofë në të gjithë ekosistemin e Oderit.

“Duhet të shohim se si zogjtë do të zhvillohen dhe çfarë do të ndodhë me vidrat dhe rakunët”, tha Karina Dork, administratore e rajonit Uckermark të Gjermanisë.

Shkaku i ngordhjes mbetet i paqartë dhe Polonia ka ofruar shpërblim 210,000 euro për këdo që mund të ndihmojë të gjejë përgjegjësit për këtë.

“Ka mundësi që sasi të mëdha të mbetjeve kimike janë hedhur në lumë me dijeni të plotë të rrezikut dhe pasojave”, ka thënë kryeministri polak, Mateusz Morawiecki.

Por ministrja e Mjedisit, Anna Moskwa, tha se asnjë nga provat e marra deri tash nuk ka treguar prezencë të substancave toksike.