Botë

Irani dorëzon “përgjigje me shkrim” për marrëveshjen bërthamore

Descriptive Text

Irani ka bërë të ditur se ka dorëzuar “përgjigje me shkrim” ndaj asaj që është përshkruar si udhërrëfyes përfundimtar për ta rivendosur marrëveshjen e tij të prishur bërthamore me fuqitë botërore.

Nabila Massrali, zëdhënëse e Bashkimit Evropian për Çështjet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, ka njoftuar se BE-ja e ka marrë përgjigjen e Iranit.

BE-ja ka qenë ndërmjetësuese në bisedimet indirekte pasi Irani ka refuzuar të negociojë drejtpërdrejt me Amerikën që kur presidenti i atëhershëm, Donald Trump, e tërhoqi në mënyrë të njëanshme SHBA-në nga marrëveshja në vitin 2018.

Nga numërimi i fundit publik, Irani ka një rezervë prej rreth 3.800 kilogramësh uranium të pasuruar, raportoi AP. Sipas marrëveshjes, Teherani mund të pasurojë uranium në pastërtinë 3.67%, duke ruajtur një rezervë uraniumi prej 300 kilogramësh nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të kamerave të vëzhgimit dhe inspektorëve ndërkombëtarë.

Irani tani pasuron uraniumin deri në 60% pastërti - një nivel që nuk e ka arritur kurrë më parë dhe që është një hap i shkurtër teknik larg 90-përqindëshit.

Ekspertët e ndalimit të përhapjes së armëve bërthamor paralajmërojnë se Irani tani ka mjaft uranium të pasuruar deri në 60% për ta ripërpunuar në karburant për të paktën një bombë bërthamore.

Ndërkohë, kamerat e vëzhgimit janë fikur dhe pamjet e tjera janë sekuestruar nga Irani. Teherani këmbëngul se programi i tij është paqësor.