Botë

McDonald’s do t’i rihapë dyqanet në Ukrainë

Descriptive Text

McDonald's do të fillojë t’i rihapë disa nga restorantet e tij në Ukrainë në muajt e ardhshëm.

Ky veprim po shihet si një simbol i kthimit të vendit të shkatërruar nga lufta në normalit, dhe një shfaqje mbështetjeje, pasi zinxhiri amerikan i ushqimit të shpejtë u tërhoq nga Rusia.

Gjigandi i burgerëve mbylli restorantet e tij ukrainase pas pushtimit të Rusisë gati gjashtë muaj më parë, por ka vazhduar të paguajë më shumë se 10,000 punonjës të McDonald's atje, raportoi Reuters të enjten.

McDonald's tha të enjten se do të nisë gradualisht rihapjen e disa restoranteve në kryeqytet, Kiev dhe Ukrainën perëndimore, ku kompani të tjera po bëjnë biznes larg luftimeve. Bizneset perëndimore si Nike, KFC dhe shitësi spanjoll i veshjeve Mango janë të hapura në Kiev.

"Ne kemi folur gjerësisht me punonjësit tanë të cilët kanë shprehur një dëshirë të fortë për t'u kthyer në punë dhe për të parë restorantet tona në Ukrainë të rihapen," tha Paul Pomroy, nënkryetar i lartë i korporatës për tregjet ndërkombëtare, në një mesazh për punonjësit.

Ekonomia e Ukrainës është dëmtuar rëndë nga lufta, dhe rifillimi i bizneseve, qoftë edhe në një kapacitet të kufizuar, do të ndihmonte. Fondi Monetar Ndërkombëtar pret që ekonomia e Ukrainës të tkurret me 35 për qind këtë vit.

McDonald's ka 109 restorante në Ukrainë, por nuk bëri të ditur se sa do të rihapen, kur do të ndodhte kjo ose cilat vende do të ishin të parat që do të mirëpritnin klientët e rikthyer.