Botë

Lavrov: Rusia e gatshme të diskutojë për shkëmbimin e të burgosurve me SHBA-në

Rusia është e gatshme të diskutojë për shkëmbim të të burgosurve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes një kanali diplomatik të rënë dakord nga të dyja vendet, tha të premten ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve RIA Novosti.

"Për çështjen e personave që janë dënuar në Rusi dhe në Shtetet e Bashkuara... ekziston një kanal i caktuar për të cilin është rënë dakord [Presidenti rus Vladimir Putin dhe Presidenti i SHBA-së Joe Biden], dhe pavarësisht se çfarë thotë dikush publikisht, ky kanal do të mbetet në fuqi”, tha Lavrov.

“Ne jemi të gatshëm të diskutojmë këtë temë, por në kuadër të kanalit për të cilin janë dakorduar presidentët”, shtoi Lavrov.

Komentet e tij vijnë një ditë pasi ylli amerikan i basketbollit për femra, Brittney Griner, u dënua për kontrabandë të qëllimshme droge në Rusi me nëntë vjet burg, në një rast që ka ngritur shqetësime se ajo po përdoret si një peng politik në luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

Gjatë gjyqit, Griner u deklarua fajtore për mbajtjen e më pak se 1 gram vaj kanabisi në bagazhin e saj ndërsa udhëtonte nëpër një aeroport të Moskës më 17 shkurt. Ajo dëshmoi në gjykatë se ishte në dijeni të ligjeve strikte të drogës në Rusi dhe nuk kishte ndërmend të sillte kanabis në vend.