Botë

13 persona vdiqën nga zjarri që shpërtheu në një lokal në Tajlandë

Të paktën 13 persona vdiqën dhe dhjetëra u plagosën kur një zjarr shpërtheu herët në mëngjesin e së premtes në një klub të mbushur me njerëz në Tajlandën lindore, raportoi AP.

Videoja që qarkulloi në rrjetet sociale tregonte njerëzit që iknin nga lokali, ndërsa nga dera dilte tym i zi i dendur dhe më pas hyrja përmes së cilës njerëzit po iknin u përfshi papritur nga flakët. Veshjet e disa njerëzve u dogjën kur dolën nga lokali.

Shkaku i zjarrit ende nuk dihet.

Disa dëshmitarë përshkruan se kishin parë tym dhe zjarr në tavanin pranë skenës së lokalit të ndjekur nga zhurmat e shpërthimeve.

Një nga zjarret më vdekjeprurës në Tajlandë në dekadën e fundit në një klub nate kishte ndodhur në Bangkok gjatë festimit të Vitit të Ri 2008-2009, ku 66 persona vdiqën dhe mbi 200 u lënduan.