Botë

Stoltenberg: NATO s’mund të jetë indiferente ndaj shkatërrimit që po bën Rusia në Ukrainë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se aleanca ushtarake “nuk mund të jetë indiferente” ndaj “luftës brutale të agresionit” që Rusia po i shkakton Ukrainës.

“Ne po shohim akte lufte, sulme ndaj civilëve dhe shkatërrime që nuk janë parë që nga Lufta e Dytë Botërore”, ka thënë ai në një fjalim në Norvegji të enjten.

Stoltenberg shtoi se NATO do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë dhe vlerësoi aleancën për angazhimin me pranimin e Finlandës dhe Suedisë si anëtarë të saj të rinj.

"Disa orë më parë, Senati i SHBA-së ratifikoi protokollet e anëtarësimit. Kjo e çon në 23 numrin e aleatëve që tani kanë ratifikuar pranimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO... deri më tani, ky ka qenë procesi më i shpejtë i anëtarësimit në historinë moderne të NATO-s", shtoi ai.

Ai gjithashtu pranoi se mbështetja e NATO-s për Ukrainën ka një kosto.

"Ne paguajmë një çmim për mbështetjen tonë ndaj Ukrainës. Për mbështetjen ushtarake, humanitare dhe financiare. Për sanksionet, të cilat kanë rezultuar në rritje të inflacionit dhe çmime më të larta në vendet tona", tha ai. “Por mbani mend – çmimi që paguajmë mund të matet në para. Çmimi që paguan Ukraina matet me jetë njerëzore. Qindra të vrarë ose të plagosur çdo ditë”.

Stoltenberg thotë se NATO nuk mund të lejojë që Rusia të ketë sukses në Ukrainë.