Botë

Diplomati kinez: Vizita e Pelosit në Tajvan, e papërgjegjshme dhe irracionale

Vizita e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, në Tajvan është cilësuar si "e papërgjegjshme dhe shumë irracionale" nga ministri i jashtëm i Kinës, Wang Yi, shkruan Sky News.

Komentet e Wang Yi u raportuan nga transmetuesi shtetëror CCTV pas takimit të ministrave të Jashtëm të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore në Kamboxhia.

Ai shtoi se Kina kishte bërë përpjekjet maksimale diplomatike për të shmangur krizën, por kurrë nuk do të lejonte që interesat e saj kyçe të cenohen.

Tensionet midis Tajvanit dhe Kinës kanë arritur nivelin e tyre më të lartë në dekada pas vizitës së Pelosit dhe stërvitjeve ushtarake të nisura nga Pekini.

Sipas Wang, masat aktuale dhe të ardhshme të Kinës janë kundërmasa të nevojshme, të cilat janë shqyrtuar dhe vlerësuar me kujdes.

Ai shtoi se ata synonin të ruanin sovranitetin dhe sigurinë kombëtare në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe vendas.

Tajvani ka thënë se stërvitjet ushtarake shkelin rregullat e Kombeve të Bashkuara, pushtojnë hapësirën e tij territoriale dhe janë një sfidë e drejtpërdrejtë për lëvizjen e lirë ajrore dhe detare.