Botë

Katër të vdekur në protestat për kostot e larta të energjisë në Afrikën e Jugut

Të paktën katër persona kanë vdekur gjatë protestave për koston e energjisë elektrike në një qytet të Afrikës së Jugut, kanë njoftuar zyrtarët e policisë, shkroi të martën “Al Jazeera”.

Të hënën, banorët e shqetësuar nga kostoja e lartë e shërbimeve bazë barrikaduan rrugët me goma të djegura dhe i vunë flakën një ndërtese komunale në qytezën Thembisa, në verilindje të qendrës financiare, Johanesburg.

Autoritetet kanë thënë se dy persona janë vrarë në të shtënat e dyshuara të policisë kur filluan protestat në mëngjes.

Ndërsa, gjatë pasdites është bërë e ditur se edhe dy trupa tjerë janë gjetur në hyrje të ndërtesës së djegur.

Policia ende nuk ka konfirmuar se çfarë e shkaktoi vdekjen, derisa hetimet janë duke u zhvilluar.

Situata në këtë vend është përkeqësuar nga rritja e çmimeve të ushqimeve të shkaktuara nga ndërprerjet në furnizimin me grurë, derisa pushtimi rus i Ukrainës është duke vazhduar.