Botë

Irani paralajmëron se mund të ndërtojë bombë bërthamore

Shefi i energjisë atomike i Iranit, Mohammad Eslam, ka njoftuar se vendi ka aftësinë për të ndërtuar bombë, por nuk plan për ta bërë këtë, transmetoi të hënën BBC-ja.

Komentet e Eslamit i bëjnë jehonë një deklarate të ngjashme të fundit nga këshilltari i lartë i liderit suprem të Iranit, Kamal Kharrazi.

"Siç përmendi z.Kharrazi, Irani ka aftësinë teknike për të ndërtuar një bombë atomike, por një program i tillë nuk është në rendin e ditës”, ka thënë Eslami.

Në komentet e tij të bëra për Al Jazeeran më 17 korrik, Kharrazi ka thënë se "Irani ka mjetet teknike për të prodhuar një bombë bërthamore, por nuk ka pasur asnjë vendim nga vendi për të ndërtuar një të tillë”.

Pretendime të tilla publike nga zyrtarë të lartë janë të rralla dhe mund të intensifikojnë shqetësimet mbi natyrën e programit bërthamor të Iranit.

Ky vend ka avancuar aktivitetet e tij bërthamore që kur një marrëveshje që i kufizon ato u prish.

Marrëveshja e vitit 2015 filloi të shpërbëhej kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës u tërhoqën dhe rivendosën sanksionet ekonomike.

Irani ka pretenduar vazhdimisht se programi i tij bërthamor është për qëllime paqësore, por fuqitë perëndimore dhe mbikëqyrësi global bërthamor thonë se nuk janë të bindur.

Zyrtarët perëndimorë kanë paralajmëruar se koha po kalon për të rivendosur marrëveshjen përpara se programi i Iranit të arrijë një pikë ku nuk mund të kthehet mbrapsht.