Botë

Të paktën 69 të vdekur nga vërshimet dhe rrëshqitjet e dheut në Iran

Të paktën 69 persona kanë vdekur nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut që goditën qytetet në të gjithë Iranin, tha të dielën Organizata e Menaxhimit të Krizave të Iranit.

Nezhad Jahani, një zyrtar i lartë në organizatë, tha se të paktën 45 persona janë ende të zhdukur në Teheran dhe tri provinca të tjera pas përmbytjeve të fundit, të cilat dëmtuan të paktën 20,000 shtëpi banimi, raportoi CNN të dielën.

Më shumë se 20 provinca, përfshirë provincën e Teheranit, janë prekur nga përmbytjet që u shkaktuan nga reshjet e dendura, tha agjencia gjysmë zyrtare e lajmeve Fars.

Disa aeroporte dhe autostrada kryesore u mbyllën dhe mijëra njerëz u evakuuan.

Media shtetërore tha se presidenti iranian, Ebrahim Raisi, u tha ministrave dhe guvernatorëve që të përgatisin masa që do të minimizonin dëmet që vijnë nga përmbytjet, pasi Organizata Meteorologjike iraniane paralajmëroi se shiu do të vazhdojë në disa provinca.