Botë

Bideni rezulton pozitiv për COVID pak ditë pasi doli negativ

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka rezultuar pozitiv për COVID-19 sërish të shtunën, vetëm tre ditë pasi u lirua nga izolimi për shkak të virusit, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.

Në një shkrim në Twitter, Bideni ka thënë se nuk ka simptoma, por se po planifikon të izolohet për sigurinë e të tjerëve përreth tij, raporton AP-ja.

Sipas mjekëve të Shtëpisë së Bardhë, s’ka arsye për të rinisur trajtimin mjekësor.

Në përputhje me vendimin e Qendrës për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve në SHBA, Bideni do të izolohet për të paktën pesë ditë.

Ai do të qëndrojë në Shtëpinë e Bardhë deri të dalë negativ sërish.

79-vjeçari po trajtohej me ilaçin Paxlovid. Të martën dhe të mërkurën ai doli negativ në testime.

Më pas iu hoq obligimi për izolim, por me detyrimin për bartje maske në ambientet e brendshme. Rezultimi pozitiv sërish e fut atë në mesin e grupit të vogël të personave që përjetojnë rikthim të virusit kaq shpejt.

Bideni është i vaksinuar me dy doza të “Pfizerit”.