Botë

Spanja raporton vdekjen e parë të lidhur me linë e majmunit

Spanja ka raportuar vdekjen e parë në Evropë të lidhur me linë e majmunit - dhe të dytin jashtë Afrikës, shkruan Sky News.

Ministria e Shëndetësisë e vendit konfirmoi vdekjen të premten, por nuk dha detaje të mëtejshme rreth personit.

Brazili raportoi vdekjen e parë të lidhur me linë e majmunit jashtë kontinentit afrikan, më herët gjatë ditës.

Në raportin e saj të fundit, Ministria spanjolle e Shëndetësisë ka thënë se 4.298 raste ishin konfirmuar në vend.

Nga 3.750 pacientët për të cilët kishte informacion, Ministria tha se 120 janë shtruar në spital - që përbën 3.2% - dhe një ka vdekur, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Viktima në Brazil ishte një burrë 41-vjeçar, i cili, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të vendit, vuante gjithashtu nga limfoma dhe kishte një sistem imunitar të dobësuar.

Në fillim të këtij muaji, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e shpalli shpërthimin e lisë së majmunëve një "urgjencë globale shëndetësore".