Të paktën 40 të burgosur lufte ukrainas të kapur gjatë luftimeve për Mariupol janë vrarë nga granatimet ukrainase, thanë separatistët e mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore.
Daniil Bezsonov, një zëdhënës i separatistëve të mbështetur nga Rusia në rajonin e Donetskut, tha se të paktën 40 të burgosur lufte ukrainas u vranë dhe 130 u plagosën të premten kur bombardimet ukrainase goditën një burg në qytetin Olenivka, raportoi Associated Press të premten.
Autoritetet ukrainase nuk e kanë komentuar ende raportin.
Trupat ukrainase u zunë rob pas luftimeve të ashpra për portin e Mariupolit në Detin Azov të Ukrainës, ku u strehuan në fabrikën gjigante të çelikut “Azovstal” për muaj të tërë.
Regjimenti i Azov dhe njësi të tjera ukrainase mbrojtën fabrikën e çelikut për gati tre muaj, duke u kapur pas labirintit të saj nëntokësor të tuneleve. Ata u dorëzuan në maj nën sulmet e pamëshirshme ruse nga toka, deti dhe ajri.
Dhjetëra ushtarë ukrainas u dërguan më pas në burgje në zonat e kontrolluara nga Rusia si rajoni Donetsk, një zonë e shkëputur në Ukrainën lindore e cila drejtohet nga autoritetet separatiste të mbështetura nga Rusia.
-
29 korrik 2022 13:21
-
Shpërndaje në: