Botë

Kur shkollat kthehen në kazerma

Mijëra mësimdhënës po punojnë pa marrë asnjë metelik, derisa shumë fëmijë kanë braktisur shkollën, që të luftojnë ose të punojnë për ta mbajtur familjen. Shumë shkolla janë shkatërruar e bombarduar. Të tjerat janë kthyer në baraka ushtarake e vendstrehime për të zhvendosurit

(AJ) – Gushti po afrohet. Është muaji kur miliona nxënës jemenas hedhin çantat krahëve dhe nisen drejt shkollës.

Por me konfliktin, që po vazhdon dhe me sistemin e arsimit të prekur fort nga luftimet, nuk pritet që klasave t’u kthehen edhe të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit, shkruan “Al-Jazeera”.

Viktima të belasë politike

Edhe arsimi është goditur rëndë nga lufta, që shpërtheu në vitin 2014 dhe veçanërisht pas ndërhyrjes ushtarake të prirë nga koalicioni i prirë nga Arabia Saudite më 2015.

Shkollat janë dëmtuar ose shkatërruar, derisa mësimdhënësit kanë lënë punën. Miliona fëmijë të moshës shkollore kanë braktisur mësimin. Disa të tjerë kanë ndarë mendjen që të heqin përfundimisht dorë nga shkollimi.

Përplasja e ashpër ndërmjet kryengritësve huthi dhe Qeverisë së njohur ndërkombëtarisht ka lënë në hije rëndësinë e shkollimit në mesin e shumë qytetarëve të vendit.

Ammar Saleh, i cili ka një dekadë që jep mësim, thotë se nxënësit dhe mësimdhënësit, është dashur të merreshin me efektet e luftës.

“Shpresoj se viti i ri shkollor do të vazhdojë në klimë paqësore, ku nxënësit mund të shkojnë sigurt në klasa, të shkollohen dhe të përqendrohen në detyrat e shtëpisë”, ka thënë Saleh, tani mësimdhënës në një shkollë private në Sana. “Më mungojnë ditët kur jepja mësim pa sirenat e sulmeve ajrore, bombardimeve dhe krizës së naftës”, ka shtuar ai për “Al-Jazeeran”.

Ai shpreson se armëpushimi i ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara, që pritet të skadojë më 2 gusht, por që mund të zgjatet, do të shfrytëzohet për të arritur marrëveshje mes palëve, që të fitojë Jemeni, por veçanërisht sektori i arsimit.

Shkolla si caqe lufte

Raportet e Kombeve të Bashkuara tregojnë se më shumë se 2.900 shkolla në Jemen “janë shkatërruar, dëmtuar ose përdorur për qëllime joarsimore”, citon “Al-Jazeera”.

Rrjedhimisht, rreth 1.5 milionë djem dhe vajza janë prekur prej këtyre zhvillimeve.

Pavarësisht prej kësaj, palët në konflikt nuk e kanë prioritetin më të lartë arsimin në Jemen. Pothuajse 170 mijë mësimdhënës, në territorin e kontrolluar nga kryengritësit, nuk kanë marrë pagat e rregullta prej vitit 2016. Kjo i ka detyruar të heqin dorë prej punëve, që të sigurojnë jetesën prej punëve në fusha tjera.

Ata që po vazhdojnë punën në shkollë, tani janë frustruar.

“Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, ne u kërkojmë autoriteteve huthi dhe qeverisë së Jemenit të na japin pagat e padhëna. Është lufta e tyre ajo që na ka zhytur në këtë mjerim”, ka theksuar Amal, mësimdhënëse në një shkollë publike në Sana.

Amali ligjëron matematikën dhe puna në arsim është burimi i vetëm financiar i familjes.

“Ne mësimdhënësit ushqejmë mendjet e nxënësve me informacion. Por na duhen të ardhura për t’i ushqyer fëmijët tanë. Nëse vazhdojmë të punojmë pa paga, mbase i bie se përpjekja jonë nuk është e rëndësishme për shoqërinë. Kjo ta këputë shpirtin”.

Shifra alarmuese

Amatallah Alhaji, drejtor i organizatës për zhvillim, të drejta dhe liri me seli në Jemen, Arva,, i ka thënë “Al-Jazeeras” se pagat e mësimdhënësve janë kthyer në goditje për sistemin e arsimit në vend.

“Mosdhënia e pagave mësimdhënësve, ka gërryer procesin arsimor dhe ka thelluar varfërinë. Pa paga, mësimdhënësit nuk mund ta bëjnë punën e tyre e as të shkojnë në punë prej shtëpive të tyre larg shkollës”.

Fokusi kryesor i palëve në konflikt në Jemen është fushëbeteja, e jo klasat mësimore. Rrjedhimisht ka rënë theksueshëm edhe numri i atyre që po braktisin shkollimin.

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, 2.4 milionë nxënës të moshës 6 deri në 17 vjeç u kanë kthyer shpinën bankave shkollore.

“Lufta në Jemen ua ka mohuar mijëra nxënësve të drejtat për edukim dhe shkollim. Kjo po ndodh për shkak se shumë shkolla qeveritare janë kthyer në baraka ushtarake ose në vendstrehime për qytetarët e zhvendosur”, ka theksuar Alhaji.

Abdulhameed Mohammed, 15 vjeç, do të duhej të ishte në klasën e nëntë sivjet. Por ai ka provuar që ta bëjë punën e shitësit ambulant në Sana. Ka shitur akullore. Së fundmi ka nisur të shesë shishe me ujë të ftohtë për shoferët në një rrugë me shumë trafik. Tani që po fiton para, shkolla nuk po i duket atraktive.

“Punoj dhe fitoj para për t’i mbajtur prindërit, dhe kështu është më mirë se të kaloj kohën në shkollë”, i ka thënë ai “Al-Jazeeras”. Ai ka thënë se edhe kushërinjtë e tij, që kanë kryer shkollën, nuk ia kanë dalë të gjejnë vende meritore pune.

Mohammedi është një prej milionave fëmijëve, që shkoi në shkollë në kohë lufte. Kombet e Bashkuara thonë së paku tetë milionë fëmijë jemenas kanë nevojë për mbështetje financiare për ta vazhduar shkollimin fillor.