Botë

Irani arreston pesë të dyshuar si spiunë të lidhur me Izraelin

Descriptive Text

Policia iraniane ka arrestuar liderin e supozuar dhe katër anëtarë të tjerë të një rrjeti spiunazhi, me dyshimin se janë të lidhur me shërbimet sekrete të Izraelit, kanë thënë autoritetet iraniane të zbatimit të ligjit, shkroi të enjten Reuters.

Derisa nuk është bërë i ditur identiteti i të arrestuarve, është njoftuar se të dyshuarit kanë marrë trajnime për operacione të armatosura.

"Pesë anëtarëve të arrestuar të këtij rrjeti të spiunazhit iu dhanë premtime të ndryshme nga Mossadi i Izraelit, duke përfshirë premtime financiare, për të mbledhur informacion nga zona të rëndësishme në të gjithë vendin", tha organizata iraniane e inteligjencës së zbatimit të ligjit.

Irani dhe Izraeli për kohë të gjatë nuk kanë marrëdhënie të mira dhe aktualisht janë bllokuar në një marrëveshje mbi programin bërthamor të Iranit.

Izraeli akuzon Iranin për mbështetjen e sulmeve militante kundër tij, ndërsa Irani thotë se Izraeli ka kryer një numër vrasjesh të zyrtarëve iranianë, duke përfshirë atë të një oficeri të lartë në maj.

Javën e kaluar, forcat iraniane të sigurisë thanë se kishin arrestuar një rrjet agjentësh që punonin për Izraelin, të cilët hynë në Iran nga rajoni kurd i Irakut për të kryer "operacione terroriste".