Botë

Senati miraton rezolutë, kërkon që Rusia të njihet si sponsor i terrorizmit

Senati amerikan miratoi njëzëri një rezolutë që i bën thirrje Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, ta identifikojë Rusinë si sponsorizuese e terrorizmit, raportoi të enjten NYTIMES.

Ky vendim, sipas Senatit, u bazua në veprimet kriminale të Kremlinit në luftrat në Çeçeni, Gjeorgji, Siri dhe tash në Ukrainë.

Në rezolutë, thuhet se veprimet e liderëve rusë kontribuuan në vdekjen e burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm, ndërsa forcat e armatosura ruse kryen (në Ukrainë v.j.) shumë vrasje të civilëve. Senati bëri të ditur se rusët, për t’i fshehur mizoritë, i fshehën viktimat në varreza masive.

Masa të ngjashme për bllokimin e Rusisë u morën edhe në Dhomën e Përfaqësuesve. Kryetarja e kësaj Dhome, Nancy Pelosi, deklaroi se kjo rezolutë duhet të mbështetet.

Sipas NYTIimes, vetëm Departamenti i Shtetit ka fuqinë për të shtuar një vend në listën e vendeve sponsorizuese të terrorizmit.

Gazeta e përditshme amerikane shkroi se në listën e vendeve që mbështesin terrorizmin janë Koreja e Veriut, Irani, Siria dhe Kuba.

Ndër masakrat më të mëdha që Rusia i kreu ndaj Ukrainës deri më tani është ajo në Bucha, ku mbi 1 mijë persona, përfshirë gra, civilë e foshnje, u gjetën të masakruar. Krimi, që ndodhi prillin e këtij viti, u dënua nga bota perëndimore.