Botë

Protestuesit irakianë futen në Zonën e Gjelbër, frikë për përshkallëzim

Descriptive Text

Protestuesit, mes të cilëve shumë ndjekës të një kleriku me ndikim, shkelën Zonën e Gjelbër të fortifikuar të Bagdadit, të mërkurën, për të protestuar ndaj zgjedhjes së një kandidati për kryeministër nga partitë e mbështetura nga Irani.

Policia përdori topa uji për të zmbrapsur demonstruesit, por shumë prej tyre thyen portat e zonës, ku janë ndërtesat qeveritare dhe ambasadat e huaja, raportoi AP. 

Në protestën më të madhe që nga zgjedhjet që u mbajtën në tetor, demonstruesit dolën nëpër rrugët kryesore të zonës, me dhjetëra të mbledhur jashtë dyerve të ndërtesës së parlamentit.

Demonstruesit po protestonin kundër emërimit të Mohammed al-Sudani si kandidat zyrtar i bllokut Kornizë Koordinuese, një koalicion i udhëhequr nga partitë shiite të mbështetura nga Irani dhe aleatët e tyre.

Policia u mblodh në dyert kryesore. Demonstruesit u grumbulluan rreth dy hyrjeve në Zonën e Gjelbër, me disa që u ngjitën në mure dhe brohorisnin "Sudani, jashtë!"

Demonstruesit ishin ndjekës të klerikut shiit me ndikim Muqtada al-Sadr, i cili së voni u tërhoq nga procesi politik, pavarësisht se kishte fituar shumicën e ulëseve në zgjedhjet e tetorit. Protestuesit mbanin portrete të klerikut.

Al-Sadr u largua nga bisedimet për formimin e qeverisë, pasi nuk ishte në gjendje të grumbullonte mjaftueshëm deputetë për ta marrë shumicën e nevojshme për ta zgjedhur presidentin e ardhshëm të Irakut.

Duke zëvendësuar deputetët e tij, kreu i Kornizës Koordinuese shtyu përpara formimin e qeverisë së ardhshme. Shumë prej tyre kanë frikë se një gjë e tillë gjithashtu hap dyert për protesta në rrugë të organizuara nga ndjekësit e al-Sadrit dhe për jostabilitet.