Botë

Rriten çmimet e gazit, ndërsa Rusia vazhdon ta ndërpresë furnizimin e Gjermanisë

Çmimet e gazit janë rritur ndërsa Rusia ka zvogëluar më tepër furnizimin me gaz për Gjermaninë dhe shtetet tjera të Evropës Qendrore, pasi kishte paralajmëruar këto hapa më herët këtë javë, raporton BBC.

Çmimet e gazit në Evropë janë rritur për 9 për qind, duke iu afruar shifrave rekorde.

Kritikët thonë se Qeveria e Rusisë po e përdor gazin si armë politike.

Rusia ka nisur ta ndalojë rrjedhjen e gazit nëpër gazsjellësin Nord Stream 1 për në Gjermani, ku tash po operon me më pak se një të pestën e kapacitetit të plotë.

Gjermania importon 55 për qind të gazit nga Rusia dhe pjesa më e madhe vjen nga gazsjellësi Nord Stream 1.

Firma energjetike ruse Gazprom është munduar të arsyetojë lëvizjen e fundit, duke thënë se arsyeja është se duhet bërë intervenime në një turbinë.

Por, Qeveria e Gjermanisë ka thënë se nuk ka shkaqe teknike për limitimin e furnizimit.

Ukraina e ka akuzuar Moskën se po zhvillon “luftë gazi” kundër Evropës, duke zvogëluar furnizimet për t’ua futur frikën njerëzve.

Reduktimet e fundit kanë vënë nën presion shtetet e Bashkimit Evropian që të reduktojnë edhe më tepër varësinë ndaj gazit rus.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, liderët evropianë kanë mbajtur bisedime për të gjetur një zgjidhje se si të reduktohet varësia nga gazi rus.

Të martën shtetet e BE-së janë pajtuar që vullnetarisht të reduktojnë përdorimin e gazit për 15 për qind nga gushti deri në mars.

BE-ja ka thënë se synimi nga kjo është të bëhen kursime dhe të ruhet gazi për dimë, duke paralajmëruar se Rusia po vazhdon t’i përdorë furnizimet energjetike si armë.

Marrëveshja vullnetare do të bëhet obligative nëse furnizimet arrijnë në nivele krize.

BE-ja është pajtuar në maj të ndalojë gjitha importet e naftës ruse që vijnë nga deti deri në fund të vitit, por vendimi për të ndaluar gazin rus po merr më tepër kohë.