Botë

Rrufeja vret 20 persona në Indi

Në shtetin indian të Biharit, rrufeja ka lënë të vdekur 20 persona në 24 orët e fundit, shkruan BBC.

Meteorologët kanë parashikuar stuhi në pjesët veriore të Biharit të mërkurën dhe të enjten, dhe ministri Nitish Kumar i ka kërkuar banorëve që të ndjekin këshillat e autoriteteve. Qindra njerëz vdesin në Indi çdo vit për shkak të goditjeve të rrufesë gjatë shirave të musonit.

Një nga arsyet e numrit të lartë të vdekjeve është fakti se shumë njerëz punojnë jashtë në Indi, ndryshe nga pjesa tjetër e botës, gjë që i bën ata më të prekshëm.

Kumar ka thënë se familjeve të viktimave do t’u paguhen pak më shumë se 5000 dollarë si kompensim.

Në takim ai kërkoi nga zyrtarët shtetërorë që të vendosin rrufepritës në të gjitha ndërtesat qeveritare, shkollat ​​dhe spitalet.

Pozicioni gjeografik i vendit e bën atë veçanërisht të ndjeshëm ndaj goditjeve të shpeshta të rrufesë gjatë musonit. Në shkurt të këtij viti, BBC raportoi se numri i goditjeve të rrufesë në Indi është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Të dhënat satelitore nga Instituti i Meteorologjisë Tropikale të Indisë tregojnë një rritje të madhe të numrit të goditjeve të rrufesë midis viteve 1995 dhe 2014.

Në Indi, më shumë se 18 milionë goditje rrufe u regjistruan midis prillit 2020 dhe marsit 2021, një rritje prej 34 për qind krahasuar me një vit më parë.