Botë

USAID-i alarmon për krizë urie në shtetet afrikane

Shefja e USAID-it, Samantha Power, u takua me fshatarë në qarkun Turkana të Kenias, ndërsa po viziton Afrikën Lindore, duke spikatur krizën e urisë në rajon.

Power i përshkroi nevojat e vendit si “jetike” dhe bëri thirrje për më shumë mbështetje ndërkombëtare për të shmangur një krizë urie në rajon. Vetëm 15 për qind e komunitetit në fshatin Kaçodë marrin ushqim nga një qendër shpërndarjeje, raportuan mediat e huaja. 

Përparësi kanë nënat me fëmijë të vegjël dhe personat me aftësi të kufizuara. Grupet e ndihmës, përfshirë Programin Botëror të Ushqimit, kanë paralajmëruar për pasiguri akute ushqimore në Bririn e Afrikës nëse vende të tilla si Kenia, Sudani i Jugut, Uganda, Etiopia, Somalia dhe Gjibuti nuk marrin ndihmë të menjëhershme ushqimore.

Sipas Autoritetit Ndërqeveritar për Zhvillim, më shumë se 50 milionë njerëz pritet të përballen me pasiguri akute ushqimore këtë vit. Gjendja përkeqësohet nga dështimi i katër sezoneve radhazi me shi.