Botë

Lukashenko thotë se fati i luftës varet nga Ukraina

Presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko, është shprehur i bindur se rezultati i konfliktit në Ukrainë varet vetëm nga Kievi. Presidenti autoritar i Bjellorusisë u ka bërë thirrje liderëve të Ukrainës që të ulen për bisedime me Rusinë me qëllim që t’i jepet fund luftës.

Në një intervistë të realizuar nga Zyra e Presidentit, Lukashenko ka thënë se Ukraina duhet të pajtohet se nuk ka armatim që mund ta kërcënojë Rusinë. Lideri bjellorus beson se çështja e Donetskut, Luhanskut dhe Khersonit si pjesë të Ukrainës “nuk duhet të diskutohet më”.

Ai u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të arrijnë marrëveshje për ndaljen e operacionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë. Ai ka thënë se bisedimet janë e vetmja rrugë për të shmangur luftën bërthamore.

Presidenti bjellorus është mik i presidentit rus, Vladimir Putin, dhe qëkur ka nisur lufta në Ukrainë, është raportuar se territori bjellorus është përdorur nga ushtria për të sulmuar shtetin ukrainas.