Botë

16-vjeçari ukrainas që u mbajt peng nga rusët tregon çfarë pa kur i pastronte dhomat e torturës

Descriptive Text

Një 16-vjeçar ukrainas ka përshkruar se si ishte mbajtur peng për 90 ditë nga ushtarët rusë ndërsa dëgjonte të burgosurit e tjerë tek torturoheshin në qelinë tjetër.

Vladislav Buryak, i cili u nda nga familja më 8 prill në një pikë kontrolli kur po përpiqej të ikte nga qyteti i Melitopolit, u lirua pas një negocimi të gjatë mes babait të tij dhe ushtarëve rusë, të cilët donin ta shkëmbenin Vladislavin me një individ me interes për ushtrinë ruse, shkroi të martën The Guardian.

Rrëfimi i Vladislavit për kohën sa po mbahej është një përshkrim i marrjes në pyetje në mënyrë të dhunshme duke përfshirë rrahje brutale, dhe konfirmon raportimet e tjera që forcat separatiste pro-ruse dhe rusët kanë keqtrajtuar të burgosurit.

Ai është një nga 500 rastet e pengjeve civile informacionet e të cilëve janë mbledhur nga Qendra për liri Civile në Ukrainë.

“E kishim lënë Melitopolin drejt Zaporizhzhias në orën 9 të mëngjesit”, tha ai, i ulur afër të atit. “Rreth orës 11:00 u ndaluam në një pikë kontrolli ku ushtarët rusë filluan të kontrollonin dokumentet”.

“Ata më pyetën nëse kisha xhiruar pikën e kontrollit dhe kërkuan t’ua jepja telefonin. Ata gjetën një video nga një llogari ukrainase në Telegram ku tregoheshin ushtarët rusë duke folur se nuk donin të luftonin. Kjo i zemëroi ata, dhe një ushtar më drejtoi armën dhe tha që duhet ta ndiqja, kështu më dërgoi te tenda ku i ‘filtronin’ njerëzit që largoheshin. Aty kuptuan se isha djali i një zyrtari lokal dhe një peng me vlerë”.

Vladislav tha se ishte dërguar në një lokacion që përdorej si burg në Vasylivka, ku u mbajt për më shumë se 40 ditë në një qeli para se të transferohej në një hotel për muajin e fundit që qëndroi i zënë rob.

“Ata më bënë të punoja, të fshija dyshemenë e dhomës që e përdornin ata për hetim, të pastroja dhomat e oficerëve dhe të hedhja mbeturinat. Qelia ku mbahesha ishte disa metra nga ku ata i merrnin njerëzit në pyetje. Mund të dëgjoja njerëzit që bërtisnin dhe kur pastroja dhomën mund të shihja shenjat e gjakut. Sepse unë mund të lëvizja përreth kur pastroja qelitë, ndonjëherë kisha mundësinë të shihja çfarë u ishte ndodhur njerëzve dhe ndonjëherë ata flisnin me mua për një minutë ose kur rojet nuk po shikonin”.

Vladislav përshkroi dhomën ku u morën në pyetje: “Ishte një tavolinë hekuri dhe dy karrige. Njëra ishte për personin që merrej në pyetje dhe tjetra për personin që merrte shënime”.

“Kishte njolla gjaku dhe fasha të lagura. Mund të dëgjoja edhe pyetjet, të paktën tri herë në javë. ‘A keni armë? Kush tjetër ka armë?’ Ata bërtisnin dhe personat që torturoheshin bërtisnin edhe më shumë”.

“Njerëzit po rriheshin dhe po torturoheshin me shok elektrik. Nëse dikush nuk thoshte gjë, tortura vazhdonte, nganjëherë për disa orë”.

“Pashë njerëzit më pas, dhe fytyrat e tyre ishin të mavijosura. Isha vërtet i frikësuar se do të më rrihnin edhe mua, kështu që u mundova ta përmbaja veten pa emocione. Askush nuk më tregoi pse po më mbanin, por dyshova se ishte për shkëmbim”.

Derisa Vladislavi po mbahej peng, babai i tij po negocionte me rusët për ta liruar.

“Ata më telefonuan ditën kur e morën Vladislavin më 9 prill”, tha Oleg, i ati. “Më thanë: ‘Kemi djalin tënd. Më duhet ky person për ta shkëmbyer’. Ishte e qartë se ai ishte marrë peng. Por e kuptova edhe se ai ishte i vlefshëm për ta kështu që nuk do ta lëndonin”.

“Më 4 korrik ata e bënë të qartë se do të lirohej nëse ky individ lirohej. Në 90 ditë menaxhova të flisja me Vladislavin gjashtë herë, e edhe atëherë e dinim se rusët po dëgjonin”.

Rrëmimi nga familja Buryak konfirmon raportimet e tjera të torturës, përshirë atë nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, që thoshte se ka gjetur dëshmi kredibile për krime kundër njerëzimit të kryera nga forcat ruse gjatë pushtimit të Ukrainës, përfshirë “shenja torture dhe keqtrajtimit të trupave të civilëve të vrarë”.