Botë

Rama për akuzat ndaj krerëve të UÇK-së: Kërkojmë t’i themi botës që ishte një maskaradë

Descriptive Text

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se nuk ka asnjë provë për trafikim të organeve njerëzore të organizuar nga udhëheqja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, akuza këto mbi të cilat është themeluar Gjykata Speciale.

Gjithë këtë, Rama e ka quajtur baltë që i është hedhur një vendi të pavarur - Kosovës.

“Çfarë ne kërkojmë është që t’i themi botës që kjo ishte një maskaradë dhe kjo maskaradë nëpërmjet një sasie të pallogaritshme balte hedhur ndaj të gjithë vendit, ndaj një shteti të pavarur siç është Kosova dhe të gjithë luftës çlirimtare. Nuk është akuzë, janë fakte. Nuk ka asnjë provë, të kushedi sa hetimeve, që ka pasur ndonjë trafikim të organeve njerëzore të organizuar nga udhëheqja e UÇK-së që ka qenë në fakt viktimë një sulmi të organizuar në të gjithë botën. Institucionet kaq demokratike nuk mund të bëjnë një gjë të tillë në një vend ku gjëra të tmerrshme kanë ndodhur dhe ne i kemi përjetuar nën diktatin sovjetik apo në periudhën e ndikimit kulturor kinez që të mund të ndodhin sërish”, ka thënë Rama.

Kryeministri i Shqipërisë ka thënë se është e pamundur të akuzohet një komb i tërë i cili u çlirua nga makineria e spastrimit etnik të Sllobodan Millosheviqit.

“Është e pamundur të akuzosh një komb të tërë që u çlirua nga një përpjekje e madhe e koalicionit të shteteve demokratike dhe falë ushtrisë çlirimtare, përkundër një makinerie të spastrimit etnik të Millosheviqit dhe krejt papritur të hidhen kështu në thellësitë më të mëdha të mediave dhe të plehrave gazetareske. Nuk ka të bëjë thjesht me media, por ka të bëjë me raportin, raportin e tyre që kanë mbështetur gjithë Këshillin e Evropian dhe jo nuk duhet të ndodh më”, ka thënë Rama.

Kryeministri i Shqipërisë ditë më parë ka thënë se Shqipëria po përgatit një rezolutë drejtuar Këshillit të Evropës mbi “pabazueshmërinë totale të raportit të Dick Martyt, si dhe influencën ruse mbi përrallën e një shtëpie të verdhë dhe të trafikut të organeve”. /ksp