Botë

Ukraina insiston se po e mbron qytetin e Avdiivkas

Forcat ruse kanë tentuar të sulmojnë qytetin Avdiivka në ditët e fundit, por njësitë ukrainase kanë mbajtur pozicionet e tyre, tha kreu i ushtrisë lokale.

Avdiivka, në veri të qytetit të Donetskut, është bombarduar shpesh për tre muaj.

“Për disa ditë me radhë armiku po përpiqet të kryejë sulm në drejtimin tonë. Por të gjitha përpjekjet e tyre janë të pasuksesshme”, tha Vitalii Barabash, duke shtuar se situata në rajon është e qëndrueshme, por e vështirë, shkruan CNN-i të martën.

Pretendimet ruse se kanë marrë nën kontroll vendbanime të ndryshme në këtë zonë, sipas tij janë të rreme.

“Para disa ditësh ata kryen aksione shumë të rënda në këtë drejtim dhe siç u tha nga Shtabi i Përgjithshëm, ata patën një sukses, por nuk zgjati shumë, pasi në mbrëmje pozicionet tona u rifituan”, tha ai.

Barabash shtoi se trupat ruse humbën katër tanke, katër automjete të tjera dhe rreth 40 trupa u vranë. Pranoi se katër ushtarë ukrainas u vranë dhe rreth 30 u plagosën.

Ai shtoi se sistemet amerikane HIMARS dhe avionët M777 po bëjnë ndryshimin në këtë luftë.

“Ata janë duke punuar në vijën e parë, ne mund t'i dëgjojmë, ne shohim ndikimin pozitiv të punës së tyre”, ka thënë ai.

Por paralajmëroi se forcat e mbështetura nga Rusia kanë grumbulluar sasi të konsiderueshme municionesh gjatë tetë vjetëve të fundit në republikat e vetëshpallura Luhansk dhe Donetsk.