Botë

2.5 sekondat që vendosen fatin e Abes

Foto: Reuters

Mbrojtja e afërt mund ta kishte shpëtuar Shinzo Aben nëse do ta largonte nga vija e zjarrit për 2.5 sekonda, sa ishte periudha ndërmjet sulmit të parë me armë dhe të dytit, që e plagosi për vdekje, kanë thënë tetë ekspertë të sigurisë që shqyrtuan pamjet e vrasjes së ish-liderit japonez.

Dështimi për të mbrojtur Aben nga gjuajtja e dytë, pasoi një seri gabimesh sigurie që lanë të vdekur kryeministrin më jetëgjatë në Japoni, kanë thënë ekspertët, shkruan Reuters të martën.

Vrasja e Abes në qytetin perëndimor Nara, nga një burrë me armën të cilën e kishte bërë vetë, tronditi kombin, për të cilin dhuna me armë është e rrallë dhe politikanët bëjnë fushata afër publikut, duke mos pasur kushte sigurie shumë të mëdha.

Autoritetet japoneze, përfshirë kryeministrin Fumio Kishida, kanë pranuar gabimet e sigurisë dhe Policia ka bërë të ditur se po hetohen.

Përveç ekspertëve të sigurisë, Reuters foli me gjashtë dëshmitarë në vendngjarje dhe ekzaminoi video të shumta të disponueshme në internet, të marra nga këndvështrime të ndryshme, për të krijuar një përshkrim të detajuar të masave të sigurisë.

Pasi 67-vjeçari Abe mbeti i ekspozuar teksa fliste në një rrugë publike, rrethanat e sigurisë lejuan që qëlluesi i identifikuar nga policia si Tetsuya Yamagami, 41 vjeç, të shkonte pak metra larg Abes i pakontrolluar, duke mbajtur një armë.

“Ata duhet ta kishin parë sulmuesin duke ecur qëllimisht drejt pjesës së pasme të kryeministrit dhe të ndërhynin”, tha kreu i “Threat Solutions”, Kenneth Bombace, i cili ishte kujdesur për sigurinë e presidentit Joe Biden kur ishte kandidat presidencial.

Yamagami u afrua rreth 7 metra nga Abe përpara se të gjuante plumbin e parë drejt tij, i cili shkoi huq, tha gazeta Yomiuri, duke cituar burime hetimore. Ai qëlloi me plumbin e dytë, të cilin e shkrepi rreth 5 metra larg, thuhet në njoftim.

Truprojat e Abes nuk dukej se kishin “unaza koncentrike sigurie” rreth tij, tha John Soltys, një ish-oficer i Navy Seal dhe në CIA, tani zëvendëspresident në firmën e sigurisë Prosegur.

“Ata nuk kishin asnjë lloj mbikëqyrje në turmë”, ka thënë ai.

I pyetur në lidhje me analizën e ekspertëve, Policia e Prefekturës Nara, përgjegjëse për sigurinë e fushatës së Abes, i tha Reutersit se departamenti ishte “i përkushtuar për të identifikuar plotësisht problemet e sigurisë” në mbrojtjen e Abes, duke refuzuar të komentojë më tej.

Pamjet në video treguan se, pas goditjes së parë, Abe kthehet dhe shikon mbi shpatullën e tij të majtë. Dy truproje përpiqen të kalojnë mes tij dhe sulmuesit, njëri duke ngritur një çantë të hollë të zezë. Dy tjerë drejtohen drejt gjuajtësit.

VIDEO:

 

“Ishte përgjigje e gabuar që disa nga personat e sigurimit shkuan pas sulmuesit në vend që të lëviznin për të mbrojtur Aben”, ka thënë një profesor i Universitt Nihon, i specializuar në menaxhimin e krizave dhe terrorizmit.

Kishte siguri të mjaftueshme, “por asnjë ndjenjë rreziku” tha Yasuhiro Sasaki, oficer policie në pension në prefekturën Saitama pranë Tokios, i cili merrej me sigurinë e personave VIP. Ai tha se të gjithë u tronditen, por askush nuk shkoi atje ku ishte Abe.

Agjencia Kombëtare e Policisë, e cila mbikëqyr forcat e policisë lokale, tha se vrasja e Abes ishte rezultat i dështimit të policisë për të përmbushur përgjegjësinë e saj dhe tha se kishte ngritur një ekip për të rishikuar masat e sigurisë dhe mbrojtjes.

“Ne e kuptojmë se kishte probleme, jo vetëm me reagimin në vend, të tilla si vendosja e sigurisë dhe mbrojtjes, vendosja e personelit dhe procedurat themelore të sigurisë, por edhe në mënyrën se si u përfshi Agjencia Kombëtare e Policisë”, u tha në një përgjigje nga Agjencia.

Kur ish-kryeministri u ngrit për të folur, Yamagami mund të shihej në pamjet video në sfond, duke duartrokitur.

Ndërsa Yamagami eci pas Abes, siguria nuk dukej se kishte ndërmarrë veprime.

Abe duhet të kishte pasur një truproje të përkushtuar të mbrojtjes së ngushtë për ta larguar atë, tha një anëtar i Shërbimit Diplomatik të Sigurisë së SHBA, i cili mbron diplomatë të lartë dhe personalitete të huaja.

“Ne do ta kapnim për rrip dhe jakë, do ta mbronim me trupin tonë dhe do të largoheshim”, tha agjenti.

Katsuhiko Ikeda, ish-mbikëqyrës i përgjithshëm i policisë së Tokios, i cili drejtoi sigurinë në samitet e Grupit të Tetë të Japonisë më 2000 dhe 2008, tha se situata do të ishte zhvilluar shumë ndryshe nëse do t’u kushtohej më shumë vëmendje detajeve të sigurisë.

“Kishte një hapësirë prej më shumë se dy sekondash përpara goditjes së dytë, kështu që ata patjetër mund ta kishin parandaluar atë”, tha ai. “Nëse Abe do të ishte mbrojtur siç duhet, vrasja mund të ishte shmangur”.