Botë

Rreth 2.000 turistë bllokohen në qytetin bregdetar të Kinës për shkak të COVID-19

Më shumë se 2.000 turistë janë bllokuar në një qytet bregdetar kinez pas rritjeve të rasteve me koronavirus.

Zyrtarët në Beihai mbyllen zonat urbane dhe urdhëruan testimin masiv të 1.9 milionë banorëve gjatë fundjavës.

Ky vendim rrit shqetësimet edhe ashtu të mëdha për ndikimin e politikës “zero-Covid” të Kinës në ekonominë e dytë më të madhe në botë, shkruan BBC-ja të martën.

Javën e kaluar, shifrat zyrtare treguan se ekonomia e vendit u tkurr në tremujorin e dytë të këtij viti, pasi kufizimet goditen firmat dhe konsumatorët.

Beihai, i cili është një destinacion i njohur për pushime verore në rajonin jugor Guangxi të Kinës, regjistroi më shumë se 450 raste nga 11 korriku deri më 16 korrik.

Derisa ai nivel i rasteve mund të duket i ulët për standardet ndërkombëtare, ai konsiderohet i lartë sipas qasjes së qeverisë kineze ndaj pandemisë.

Të dielën, qeveria lokale e Bihait tha se turistët që nuk kishin qenë në kontakt me askënd të infektuar ose vizituan zona me rrezik të ulët e të mesëm do të lejoheshin të largoheshin nëse do të rezultonin negativ në testin për COVID-19.

Pjesa tjetër duhet të qëndrojë në qytet dhe të karantinohet, thanë zyrtarët në një konferencë shtypi.