Botë

Avioni me mallra të rrezikshme përplaset në Greqi, dëgjohen shpërthime të njëpasnjëshme

Descriptive Text

Një avion i madh mallrash është rrëzuar dhe ka shpërthyer pranë Paleochori Kavalas në veri të Greqisë.

Dëshmitarët okularë thanë se avioni Antonov An-12 ishte në flakë dhe se ata kishin dëgjuar shpërthime ndërsa fluturonte mbi zonë, njoftoi Agjencia e Lajmeve të Athinës të dielën.

Një banor i ka thënë medias se ai kishte dëgjuar se diçka nuk është në rregull posa ishte nisur avioni.

“Dola jashtë dhe pashë motorin në flakë”.

Zyrtarët lokalë thanë se shtatë automjete zjarrfikëse ishin vendosur në vendin e përplasjes, por se ata nuk mund të afroheshin për shkak të shpërthimeve të vazhdueshme. Ata thanë se shpërthimet u dëgjuan për dy orë pas përplasjes.

Raportohet se tetë persona ishin në avion dhe bartte rreth 11 tonë “materiale të rrezikshme”, shumica eksplozivë.

Sipas Autoritetit Civil të Aviacionit i Greqisë, avioni ishte nisur nga Serbia për në Jordani.

Autoritetet nuk dinë nëse kishte kimikate të rrezikshme në avion.

Dy zjarrfikës u dërguan në spital për shkak të problemeve me frymëmarrje pas tymit toksik. Banorëve iu tha që t’i mbyllnin dritaret gjatë natës për shkak të tymit dhe gazetarëve në vendin e ngjarjes iu kërkua të vendosnin maska.

“Ju duhet të largoheni për sigurinë tuaj. Ka informacion se avioni po bartte municion”, u kishte thënë gazetarëve një zjarrfikës.