Botë

Britania pritet ta thyejë rekordin e temperaturave

Descriptive Text

Kriza klimatike po shtyn motin në ekstrem në të gjithë botën, dhe temperaturat në disa zona kanë qenë veçanërisht të ndjeshme ndaj ndryshimeve. Meteorologët në Britani shikuan modelet klimatike në verën e 2020-s për ta parë se çfarë temperaturash do të parashikonin në tri dekada

Londinezëve u është bërë thirrje të shtunën që të mos përdorin rrjetin e transportit publik përveç nëse është nevojshme për shkak të valës së të nxehtit që ka mbërthyer Evropën Perëndimore.

Zyra britanike e Meteorologjisë ka publikuar një paralajmërim për të nxehtin ekstrem nga e diela deri të martën, sepse temperaturat me gjasë do të thyejnë rekordin e vitit 2019 prej 38.7 Gradë Celsius. Temperaturat ekstreme përbëjnë rrezik për udhëtarët.

“Për shkak të motit të nxehtë që pritet të mbajë javën e ardhshme, londinezët duhet të përdorin transportin vetëm për udhëtime esenciale”, ka thënë shefi i transportit për Londrën, Andy Lord.

Ndalesat e përkohshme të shpejtësisë do të jenë për metronë dhe shërbimet e trenave me qëllim që “të gjithë të jenë të sigurt”, ka thënë Lord, duke kërkuar nga udhëtarët që krejt kohën të marrin ujë me vete”.

Temperaturat ekstreme mund t’i dëmtojnë linjat e energjisë dhe pajisjet sinjalizuese. Autoritetet londineze kanë thënë se linjat do të vazhdojnë si zakonisht, por do të ketë inspektime më të shpeshta të pajisjeve shkaku i rrezikut nga nxehtësia ekstreme.

Zyra e Meteorologjisë ka bërë të ditur se jeta e njerëzve është në rrezik nëse temperaturat arrijnë në 40 gradë Celsius në fillim të javës së ardhshme.

“Nëse njerëzit kanë të afërm apo fqinj shëndetligë, tani është koha që të merren masat e nevojshme me qëllim që ata t’i rezistojnë të nxehtit, sepse do të jetë alarm i kuq”, ka thënë zyra britanike e meteorologjisë.

Ndërkaq, dy vjet më parë, meteorologët në Mbretërinë e Bashkuar bënë një eksperiment interesant: Si do të jenë parashikimet e motit në vitin 2050?

Kriza klimatike po shtyn motin në ekstrem në të gjithë botën, dhe temperaturat në disa zona kanë qenë veçanërisht të ndjeshme ndaj ndryshimeve. Meteorologët në Britani shikuan modelet klimatike në verën e 2020-s për ta parë se çfarë temperaturash do të parashikonin në tri dekada.

Zyra e Meteorologjisë tha se nuk ishte parashikim i saktë, porse jepte shembuj për motin e mundshëm bazuar në projeksionet klimatike.

Por, të hënën dhe të martën, “e mundshmja” do të bëhet realitet – 28 vjet më herët.

Temperaturat parashikohen të rriten për 10-15 gradë më ngrohtë se normalja javën e ardhshme në Britani. Ato mund të arrijnë 40 gradë celsius për herë të parë – një parashikim që shtyu meteorologët të vendosin alarm të kuq për të nxehtin për herë të parë ndonjëherë.