Botë

Fotografia historike e grushtit

Ishte një fotografi goditëse. Presidenti i SHBA-së dhe burri që ai e shmangu për disa vite për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut, puthitën grushtet jashtë pallatit mbretëror në Jeddah.

Arabia Saudite gjithmonë do të ishte ndalesa kontroverse e Joe Bidenit në vizitën e tij në Lindje të Mesme si president amerikan.

Vetëm katër javë më parë, Bideni tha se nuk do ta takonte princin e kurorës Mohammed bin Salman gjatë vizitës së tij, shkroi të shtunën BBC-ja.

Kur mori detyrën në Shtëpinë e Bardhë gjatë javëve të para të punës, ai refuzoi edhe të fliste me udhëheqësin de-facto të Arabisë Saudite.

Bideni e kritikoi princin arab pasi CIA tha se ky i fundit kishte aprovuar vrasjen brutale të gazetarit Jamal Khashoggit brenda konsullatës së Stambollit.

Marrëdhëniet ishin të ftohta. Më pas, erdhi njoftimi i vizitës së presidentit.

Flamujt ishin vendosur, i gjelbri me të bardhë i Arabisë Saudite kundrejt atij të SHBA-së. Ata shënjonin rrugën nga aeroporti te pallati mbretëror, teksa rrugët ishin mbyllur. Automjetet e policisë, dritat e tyre që ndriçonin në diell, ishin vendosur në pak metra distancë nga njëri-tjetri për ta ruajtur sigurinë.

Sauditët e dinin se bota do ta shikonte këtë takim.

Ata donin që pjesa tjetër e Lindjes së Mesme, dhe komuniteti ndërkombëtar, të vërenin favorin që u ishte dhënë nga presidenti i SHBA-së.

Në orët pas bisedimeve mes dy liderëve, BBC-ja bashkëbisedoi me ministrin e Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite, Adel bin Ahme dal-Jubeir, i cili u pyet se pse pavarësisht modernizimit të mbretërisë, gjërat si liria e fjalës, aktivizmi dhe mospajtimi ndaj regjimit ende ndëshkohen.

“Atë që ju mund të quani kundërshtar, ne e quajmë terrorist. Çfarë mund të quani ju dikë që shpreh opinionin e tij, ne e quajmë nxitës”, u përgjigj ai.

“Kur dikush i jep para një grupi që vret njerëz, a është ajo shprehje e opinionit të tyre apo është financim i vrasjes?”

“Kjo nuk është aktivizëm, kështu që ata akuzohen për çështje të tillë, dhe sillen në gjykata. Por, ata prezantohen jashtë Arabisë Saudite sikur janë aktivistë, ose sikur duan ta shprehin opinionin e tyre”.

Po për komentet e Bidenit i cili e kritikoi për shkeljen e të drejtave të njeriut? Pse ai mendoi se Bideni e ka ndryshuar mendjen tani për marrëdhëniet SHBA-Saudi?

“Çfarë ndodhë në fushata politike në përgjithësi, nuk i mbijeton realitetit kur je në zyrë. Presidenti Trump ka thënë gjëra për Arabinë Saudite gjatë fushatës, por kur ishte në detyrë ne patëm marrëdhënie të shkëlqyera me të”, tha ministri.

Bideni insistoi pas takimit me princin se ai kishte ngritur çështjen e vrasjes së Khashoggit, dhe marrjen vesh të përfshirjes së Mohammed bin Salmanit në të.

Gjë që na sjell te fotografia. Veprimet kundrejt fjalëve. Një fotografi që do ta definojë vizitën – gjithçka për të cilën sauditët do të kishin shpresuar.

Tregoi një përallë të një vendi të rehabilituar: një partneritet strategjik të ripërtërirë. Pavarësisht se çfarë u diskutua në takim, çfarëdo suksesesh apo dështimesh që ndodhën, bota ka një imazh që ta kujtojë atë. Një që ilustron një ndryshim të drejtpërdrejt të sjelljes së Bidenit.

Pra, si ndikon kjo te burrat dhe gratë e mbretërisë? Si ndihen ata për vizitën e presidentit, dhe marrëdhënies së tyre të luhatur me SHBA-në?

Në një qendër tregtare të Arabisë dhjetëra persona po bënin blerje ose po hanin.

Shumë nga ta as nuk donin të flisnin për vizitën. Disa thanë se nuk donin t’ia dinin për të.

Por, për ata që kishte rëndësi, një gjë i bashkonte: udhëtimi.

“Nuk e kam vizituar SHBA-në për ndoshta dhjetë vjet”, tha një person. “Ka gjithmonë probleme me marrjen e vizës”.

Kritikët thanë se pjesë e parë e udhëtimit të Bidenit në Lindjen e Mesme nuk dha ndonjë arritje të rëndësishme.

Nëse ai mund të bindë disa nga vendet më të mëdha prodhuese të naftës në botë që të nxjerrin më shumë dhe të ndihmojnë në uljen e çmimit, kjo do të shihet si një fitore nga votuesit amerikanë në shtëpi.

Por deri tash, ka pak shenja se ai do të largohet me shpërblimin të cilin shumë persona thonë se ka ardhur për të.